|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Kthehet në rigjykim rasti ku deputetja Vrenezi dhe të tjerët akuzohen për korrupsion

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Jetmira Vrenezi, dhe pesë të akuzuarit e tjerë përsëri do të dalin para gjykatës së shkallës së parë lidhur me akuzën për korrupsion, raporton “Drejtësia Sot”.

Një vendim të tillë e ka marrë Gjykata e Apelit, më 23 dhjetor 2022, e cila e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, të datës 17 maj 2022, ku Vrenezi dhe Islam Thaçi ishin dënuar me nga 3 vite burgim e nga 2 mijë euro gjobë.

Po më këtë aktgjykim, nga akuza për korrupsion ishin liruar Egzona Morina – Thaçi, Arian Taraku, Shqipron Krasniqi dhe Isë Bislimaj.

Por, në vendimin e Apelit, të siguruar nga “Drejtësia Sot”, thuhet se kthimi në rigjykim dhe vendosje i kësaj lëndë është bërë pas aprovimit të ankesave të parashtruara nga Prokuroria e Prizrenit, mbrojtësit e të akuzuarve dhe sipas detyrës zyrtare.

Apeli në vendimin e saj thekson se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje të dispozitave të procedurës penale, si në pjesën dënuese po ashtu edhe në atë liruese.

Po ashtu, gjykata e shkallës së dytë vërtetojë se qëndrojnë pretendimet e palëve ankuese edhe sa i përket vërtetimit jo të plotë dhe të gabuar të gjendjes faktike si dhe shkeljes së ligjit penal.

Tutje, Apeli ka udhëzuar Themeloren që me rastin e rigjykimit të kësaj çështjeje penale të marr parasysh të gjitha vërejtjet që janë adresuar në vendimin e gjykatës së shkallës së dytë.

Kujtojmë që, në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 16 mars 2020, të akuzuarit Jetmira Vrenezi, Islam Thaçi, Egzona Morina – Thaçi, Arian Taraku, Shqipron Krasniqi dhe Isë Bislimaj, duke shfrytëzuar detyrat apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit për “Abi” ShPK – Prizren.

Aktakuza përshkruan që këta zyrtarë komunal kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje në atë mënyrë që realizojnë rrënimin e aneks objektit “Abi Çarshia”, duke ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Tutje, të pandehurit  duke mos i përfillur vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi me ç‘rast gjatë rrënimit, “Abi” ShPK në Prizren i shkaktojnë dëm në shumën prej 69.729.66 euro./Drejtësia Sot

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter