Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka reaguar kundër vendimit për koeficientin e pagave në sistemin e drejtësisë, raporton “Drejtësia Sot”.
Në komunikatën për media, KGJK thekson se Ligji Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik dhe vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vlerën e koeficientit, paraqesin ndërhyrje të rëndë në pavarësinë e sistemit gjyqësor.
Sipas KGJK-së, ky ligj dhe ky vendim gjithashtu paraqesin ndërhyrje në mirëfunksionimin dhe integritetin e gjyqësorit në vend.
KGJK konsideron se një ndërhyrje e tillë është në kundërshtim të plotë me dispozitat kushtetuese dhe standardet evropiane.
Po ashtu, Këshilli pretendon se ligji dhe vendimi i lartcekur janë në kundërshtim të plotë edhe me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Ligjin për Gjykatat, qëndrimet e Komisionit të Venecias si dhe Rekomandimet e Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian.
Në fund të komunikatës për media, KGJK njoftoi se do t`i drejtohet Avokatit të Popullit për dërgimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese.
Kujtojmë që gjatë ditës së djeshme, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se për vitin 2023, vlera e koeficientit të pagave në sektorin publik do të jetë 105 euro.
Me një vlerë të tillë të koeficientit, kategoria që do t’i ulen pagat më së shumti janë zyrtarët e punësuar në sistemin e drejtësisë, me theks të veçantë gjyqtarët dhe prokurorët.
Reagim lidhur me caktimin e vlerës së koeficientit të pagave në sektorin publik ka pasur edhe nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), link: https://www.rolpik.org/sistemi-prokurorial-kundershton-vleren-e-koeficientit-te-pagave-ne-sektorin-publik/