Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, sot ka filluar gjykimi për korrupsion ndaj ish-ministrit Pal Lekaj dhe zyrtarëve Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.
Fillimisht, në këtë seancë u lexua përsëri aktakuza për të cilën të pandehurit u deklaruan se ndihen të pafajshëm për veprat të cilat ju vihen në barrë dhe seanca vazhdoi me paraqitjen e fjalës hyrëse të palëve.
Prokurori special Atdhe Dema, në fjalën e tij hyrëse, tha se aktakuza bazohet në ligj dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor, pas administrimit të provave, trupi gjykues do të bindet se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilat akuzohen.
Mbrojtësi i të pandehurit Pal Lekaj, avokati Musa Damati në fjalën hyrëse deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se nuk ekzistojnë elementet konstituive të cilat do të mund ta krijonin figurën e posaçme të veprës penale me të cilën akuzohet Pal Lekaj.
Po ashtu, avokati Damati tha se do të konfirmohet se nuk ekziston lidhja kauzale midis veprimeve të të pandehurit Lekaj dhe shkaktimit të pasojës së veprës penale, me arsyetimin se i njëjti nuk ka qenë asnjëherë autorizues i ekzekutimit të transaksionit të 53 milion eurove.
I pandehuri Pal Lekaj i mbështeti këto thënie nga mbrojtësi i tij dhe shtoi se deri te kjo ka ardhur si pasojë e mos kryerjes së obligimeve para se i njëjti të merr detyrën si ministër si dhe në rastin nëse ishte ndërpritur kontrata, buxhetit të Kosovës do t’i shkaktonte dëme shumë më të mëdha.
Tutje, mbrojtësi i të pandehurit Eset Berisha, avokati Afrim Salihu në fjalën e tij hyrëse deklaroi se në shqyrtim kryesor do ta bindin trupin gjykues që pretendimet sipas aktakuzës nuk janë konform gjendjes faktike dhe dispozitave ligjore.
I pandehuri Eset Berisha e mbështeti fjalën hyrëse të mbrojturit të tij dhe kërkoi nga gjykata që në fund të procesit, gjykata ndaj tyre të merr aktgjykim lirues.
Të njëjtën gjë deklaruan edhe mbrojtësit e të pandehurve Nebih Shatri dhe Besim Tahiri duke thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet pafajësia e të pandehurve.
Në sesionin e pasdites, shqyrtimi vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit të parë në këtë rast Avdi Kamerolli i cili ju përgjigj pyetjeve në palëve.
Dëshmitari deklaroi se sa ishte në pozitën e drejtorit të departamentit ligjor në Ministrinë e Infrastrukturës, i është kërkuar disa herë nga këshilltari politik, tani i pandehuri Eset Berisha, që të përpiloj një opinion ligjor që ka të bëjë me kontratën mes MI-së dhe Operatorit Ekonomik “Bechtel&Enka”.
Dëgjimi i këtij dëshmitari do të vazhdoj edhe në seancën e radhës që do të mbahet të hënën, më 6 shkurt 2023.
Kujtojmë që, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në aktakuzën PPS.nr.40/2019, të datës 4 shkurt 2022, ngarkon ish-ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj, së bashku me Nebih Shatrin dhe Eset Berishën, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, të KPRK-së.
Kurse, në rastin e njëjtë, më datë 18 shkurt 2022, PSRK kishte ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit, po për të njëjtën vepër penale.
Sipas PSRK-së, me datë 27.09.2017, në Ministrinë e Infrastrukturës në Prishtinë, në cilësi të personave zyrtar, Pal Lekaj – Ministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe si Kryesues i Komitetit Ndërkombëtarë (KDNM) dhe Nebih Shatri – Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri- Drejtor i Prokurimit Publik në MI, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.
Me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës e në dobi të personit tjetër, në atë mënyrë që të njëjtit më kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe me kushtet e kontratës, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel&Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve, saktësisht për 347 ditë tjera, duke mos caktuar kosto financiare.
E në këtë drejtim i kanë lënë hapësirë OE “Bechtel&Enka” që të paraqesin kërkesë për pagesën e shumës shtesë në vlerën prej 53.100.000.00 euro, ku si pasoj e këtyre veprimeve të të pandehurve, është aprovuar për pagesë nga Qeveria e RKS-së, shumë kjo e cila është në kundërshtim të plotë me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës, e me ç’rast me veprimet e të pandehurve buxhetit të RKS-së, i është shkaktuar dëm në vlerë 38.321.346.00 euro./Drejtësia Sot