Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është ndërprerë gjykimi për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi.
“Drejtësia Sot” raporton se bashkë më ish-drejtorin, në këtë çështje penale akuzohen dhe zyrtarët Ardian Krasniqi, Marigona Berisha dhe Flora Doda.
Fillimisht, në seancën e sotme është paraqitur fjala përfundimtare nga ana e prokurorit të rastit, Zejnulla Gashi, i cili mes tjerash tha se provat e administruara deri më tani e vërtetojnë dispozitivin e aktakuzës dhe kërkoi nga gjykata që të pandehurit të dënohen sipas ligjit.
Tutje, prokurori Gashi shtoi që pavarësisht tentativave për interferim në këtë çështje penale, trupi gjykues të vendosë në bazë të provave.
Për këtë deklarim, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Alban Ajvazi, kërkoi sqarim nga prokurori Gashi.
Prokurori tha se nuk ka prova konkrete për interferime mirëpo me këtë ju ka referuar presionit të madh mediatik dhe interesimit të publikut sa i përket kësaj çështje penale.
Trupi gjykues konsideroj se shqyrtimi gjyqësor në këto rrethana nuk mund të vazhdoj ngase lidhur me pretendimet e prokurorit do të njoftohet Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në mënyrë që të vlerësohen deklaratat e prokurorit Gashi si dhe nëse deklarimi i prokurorit Gashi ka të bëjë me shkelje të etikës.
Në fund, gjyqtari Ajvazi njoftoi se seanca e radhës për këtë rast do të caktohet pas njoftimit nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.
Kujtojmë që sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ngritur më 13 gusht 2021, në dispozitivin e parë, ish-drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, së bashku me shoferin e tij, Ardian Krasniqi, akuzohet se në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.
Në dispozitivin e dytë të aktit akuzues, Marigona Berisha, dhe në dispozitivin pasues, Ardian Krasniqi, akuzohen se veç e veç e kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Tutje, në pikën katër të aktakuzës, Prokuroria pretendon se nga veprimet e tyre, Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Lavdim Krasniqi gjithashtu akuzohet se në bashkëkryerje me Flora Dodën, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas veprimeve inkriminuese të përcaktuara në dispozitivin nr.5.
Ish-Drejtori i Sekretariatit të KPK-së, në këtë aktakuzë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë akuzohet edhe për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Në dispozitivin e fundit të aktit akuzues, Marigonë Berisha akuzohet edhe për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituar me kryerjen e veprës penale”./Drejtësia Sot