|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Vazhdon gjykimi për korrupsion ndaj ish-ministrit Lekaj dhe të tjerëve

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë edhe sot ka vazhduar gjykimi për korrupsion ndaj ish-ministrit të Ministrisë së Infrastrukturë, Pal Lekaj, dhe zyrtarëve Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.

Shqyrtimi i sotëm ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Avdi Kamerolli, dëshmia e të cilit kishte filluar në seancën e 3 shkurtit.

Dëshmitari sot ka deklaruar se sa ishte në pozitën e drejtorit të departamentit ligjor në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), i është kërkuar disa herë nga këshilltari politik, tani i pandehuri Eset Berisha, që të përpiloj një opinion ligjor që ka të bëjë me kontratën mes MI-së dhe Operatorit Ekonomik “Bechtel&Enka”.

Dëshmitari ka thënë se do të duhej 4 muaj për të dhënë një opinion ligjor për një çështje voluminoze, e atij i është kërkuar ta bëjë për një ditë. Kurse në shkresën dërguar këshilltarit Berisha, i ka thënë se ky opinion do të jetë jo meritor.

Kamerolli ka thënë se ishte i detyruar të jap një opinion ligjor por i njëjti duke parë se situata ishte serioze dhe e tensionuar, ka përgatitur një version të mendimit të tij e jo sipas udhëzimeve nga Eset Berisha, kurse opinion e dytë e ka dhënë nën ndikimin e tij.

Kamerolli shtoi  se shkresat se i kemi borxh 63 milion euro kompanisë “Bechtel&Enka”, ka qenë pa logo dhe pa nënshkrim të asnjë personi.

Dëshmitari ka thënë se është përjashtuar nga puna pa ndonjë arsye, por dyshon se ishte për shkak të opinionit në fjalë. Kurse për këtë presion nuk e ka njoftuar askënd sepse do t’ia keqësonte pozitën vetës, ka thënë ai.

Sa i përket zgjatjes së afatit të kontratës në fjalë, Kamerolli ka thënë se në atë kohë ka qenë e ligjshme, në bazë të shkresave që i ka pasur në posedim.

I njëjti ka thënë se ky shqyrtim nuk do të mbahej fare, po të ishte paguar shuma prej 14 milion euro kompanisë mbikëqyrëse.

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Kamerolli, trupi gjykues vendosi që në seancën e radhës, më 9 shkurt 2023, të vazhdohet më dëgjimin e një dëshmitari tjetër.

Kujtojmë që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në aktakuzën PPS.nr.40/2019, të datës 4 shkurt 2022, ngarkon ish-ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj, së bashku me Nebih Shatrin dhe Eset Berishën, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, të KPRK-së.

Kurse, në rastin e njëjtë, më datë 18 shkurt 2022, PSRK kishte ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit, po për të njëjtën vepër penale.

Sipas PSRK-së, me datë 27.09.2017, në Ministrinë e Infrastrukturës në Prishtinë, në cilësi të personave zyrtar, Pal Lekaj – Ministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe si Kryesues i Komitetit Ndërkombëtarë (KDNM) dhe Nebih Shatri – Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri- Drejtor i Prokurimit Publik në MI, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.

Me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës e në dobi të personit tjetër, në atë mënyrë që të njëjtit më kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe me kushtet e kontratës, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel&Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve, saktësisht për 347 ditë tjera, duke mos caktuar kosto financiare.

E në këtë drejtim i kanë lënë hapësirë OE “Bechtel&Enka” që të paraqesin kërkesë për pagesën e shumës shtesë në vlerën prej 53.100.000.00 euro, ku si pasoj e këtyre veprimeve të të pandehurve, është aprovuar për pagesë nga Qeveria e RKS-së, shumë kjo e cila është në kundërshtim të plotë me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës, e me ç’rast me veprimet e të pandehurve buxhetit të RKS-së, i është shkaktuar dëm në vlerë 38.321.346.00 euro./Drejtësia Sot

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter