Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka publikuar vendimin lidhur me procedurën disiplinore të zhvilluar ndaj gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Gjilan, Veli Kryeziu.
“Drejtësia Sot” raporton se me këtë vendim të datës 14 dhjetor 2022, gjyqtarit Kryeziu i është shqiptuar sanksioni disiplinor “Vërejtje publike me shkrim”.
Procedura disiplinore ndaj gjyqtarit Kryeziu kishte filluar pas publikimit të një bisede telefonike ku ai dëgjohet duke thënë: “me pas kërcnu me armë e kisha vra”.
Kjo deklaratë thuhet se ishte publike e më ç’rast gjyqtari në fjalë kishte kryer shkeljen disiplinore “përfshihet në sjellje, qoftë kur është në detyrë apo privatisht, të cilat dëmtojnë reputacionin e gjykatës ose mund të dëmtojnë besimin e publikut në paanshmërinë ose besueshmërinë e publikut”.
Sipas vlerësimit të panelit hetimor, faktet në këtë çështje disiplinore kanë qenë jo kontestuese për arsye se biseda ka qenë publike dhe se subjekti i hetimit në bisedë telefonike me gazetaren e Kallxo.com kishte deklaruar se: “me pas kërcnu me armë e kisha vra“.
Gjatë hetimit disiplinor, bisedën dhe deklaratën e mësipërme nuk i kishte kontestuar as subjekti i hetimit, gjyqtari Veli Kryeziu.
Kështu, gjatë zhvillimit të kësaj procedure, gjyqtari Kryeziu kishte arritur marrëveshje vullnetare me panelin hetimor, me ç’rast kishte pranuar përgjegjësinë lidhur me shkeljen disiplinore dhe që ndaj tij të shqiptohet vërejtje publike me shkrim.
Kjo marrëveshje vullnetare e arritur mes panelit hetimor dhe gjyqtarit Kryeziu ishte aprovuar nga njëzëri nga anëtarët e KGJK-së që ishin të pranishëm në takimin e datës 14 dhjetor 2022.
Në arsyetimin e këtij vendimi, KGJK vlerësoi se marrëveshja vullnetare e lidhur në mes të gjyqtarit Veli Kryeziu dhe panelit hetimor, së bashku me dakordimin e tyre për llojin e sanksionit disiplinor, i përmbush të gjitha kushtet ligjore, është i drejtë dhe në proporcion me shkeljen disiplinore të tij.
Kujtojmë që procedura disiplinore ndaj gjyqtarit Kryeziu kishte filluar me 8 shtator 2022, ndërsa raporti mbi hetimin disiplinor dhe marrëveshja vullnetare i ishin paraqitur KGJK-së më 25 nëntor 2022./Drejtësia Sot