Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, sot pritet të fillojë dëgjimi i dëshmitarëve në gjykimin ku ish-ministrja e Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE), Dhurata Hoxha, dhe katër zyrtarët tjerë të kësaj ministrie po akuzohen për korrupsion, raporton Drejtësia Sot.
Seanca e sotme është planifikuar të mbahet nga ora 09:30, dhe pritet të fillohet me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokurori i Shtetit.
Ndryshe, në këtë çështje penale edhe gjatë ditës së djeshme është mbajtur seancë gjyqësore ku u dëgjua eksperti financiar Agim Sheqiri.
Sheqiri në ekspertizën e tij kishte vlerësuar se lidhja e kontratës mes Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe kompanisë “Madison Global” pa hulumtim të tregut mund të rezultojë në kontratë me çmimet mbi tregun dhe rrjedhimisht të dëmtoj buxhetin e Kosovës.
Eksperti ka deklaruar se autoriteti kontraktues ka për obligim t’i nënshtrohet konkurrencës për të marrë një ofertë sa më kualitative, kurse në rastin konkret AK ka hyrë në kontratë me një operator të vetëm. Sheqiri ka shtuar se nuk ka pasur arsye të devijohet procedura e hapur apo konkurruese dhe në fund me shkëputë kontratën në mënyrë të njëanshme.
“Në asnjë rrethanë kontrata nuk mund të shkëputet në mënyrë të njëanshme pa ndërmarrjen e masave paraprake”, ka thënë eksperti Sheqiri.
Sipas ekspertit, kontrata me kompaninë Franceze nuk dihet çfarë shërbime ka ofruar, asnjëherë nuk u vlerësua përformanca e kësaj kompanie dhe nuk dihet cilat janë benefitet e saj për ministrinë apo sa ka ndihmuar institucionet drejt proceseve integruese.
Kurse lidhur me kompaninë “Medical Global”, eksperti ka thënë se sipas dokumentacionit e njëjta është e regjistruar pak para inicimit të procedurës në fjalë dhe nuk ka asnjë informacion që është kompani për çështje lobimi, por kompani që merret me gastronomi.
Sipas ekspertit, kompania ka paralajmëruar se me rastin e shkëputjes së kontratës do të inicioj procedura për kompensim, madje ka ofruar faturën për shërbimet e realizuara edhe përkundër shkëputjes nga MIE.
Në fund eksperti financiar ka deklaruar se kontraktori “Medison Global” ka dorëzuar faturë prej 120.600 dollarë, që konsiderohet obligim i Ministrisë dhe mund të ketë pasoja të tjera për buxhetin e Kosovës, si rezultati i proceduarve kontestimore.
Sipas aktit akuzues, ish-ministrja Hoxha, më datë 11.05.2018, ka tejkaluar kompetencat e saja duke dërguar kërkesë tek Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, tani i pandehuri Demush Shasha, nisjen e procedurave tenderuese për aktivitetin Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së, duke përcaktuar procedurën e prokurimit që duhej aplikuar dhe duke përcaktuar kompaninë “Majorelle PR and events” si operator me të cilin duhej të lidhej kontrata.
Aktakuza thotë se ky veprim është ndërmarrë ndonëse duke u bazuar në ligj kjo nuk ishte kompetencë e ministres dhe në këtë mënyrë operatorit të lartcekur i ka mundësuar përfitim në vlerë prej 180 mijë eurosh. Ndërsa akti akuzues thotë se ish-ministrja Hoxha, më datë 21.02.2019 kishte marrë përsëri të njejtat veprime me qëllim të vazhdimit të kësaj kontrate.
Aktakuza gjithashtu thotë se e njëjta akuzohet që ka vepruar në të njëjtën mënyrë, për të njëjtin aktivitet të prokurimit duke i mundësuar kompanisë tjetër “Madison Global Strategies LLC” përfitimin në vlerë prej më shumë se 150 mijë eurosh. Lidhur me këto të procedura të tenderimit po akuzohen edhe Drejtori i Divizionit të Prokurimit në MIE, Fitim Mustafa dhe dy Sekretarët e Përgjithshëm, Demush Shasha e Kushtrim Cukaj.
Sipas aktit akuzues ata kanë iniciuar dhe zhvilluar këto procedura tenderuese edhe pse ka qenë në dijeni se kërkesat e ministres kanë qenë në kundërshtim me ligjin. Në këtë akt akuzues i përfshirë është edhe Nuhi Osmani, i cili dyshohet se si UD i Sekretarit të Përgjithshëm në MIE ka nënshkruar kontratën me kompaninë “Majorelle PR and events”, me ç‘rast i ka mundësuar përfitimin e dobisë pasurore në vlerë prej 180 mijë eurosh./Drejtësia Sot