|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Propozohet administrimi i provave të reja në gjykimin ndaj ish-ministres Hoxha dhe të tjerëve

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vazhduar shqyrtimi kryesor në rastin ku ish-ministrja e Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE), Dhurata Hoxha, dhe katër zyrtarët tjerë të kësaj ministrie po akuzohen për korrupsion, raporton Drejtësia Sot.

Seanca e sotme ka vazhduar me administrimin e provave materiale, ku janë konsideruara të lexuara shumë nga provat materiale shkresore, kurse leximin e deklaratave të të pandehurve e ka kundërshtuar avokati Tahir Rrecaj, për shkak se të njëjtit janë prezent dhe mund të deklarohen.

Prokurori special Dren Paca ka propozuar prova të reja lidhur me faturat e lëshuara nga operatori ekonomik “Majorelle Pr & Events” dhe email-e të dërguara nga dëshmitari V.J., si dhe prova që përshkruajnë veprimtarinë e Operatorit Ekonomik “Madison Global”.

Ky propozim u kundërshtua nga të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve.

Prova të reja ka propozuar mbrojtësi i të akuzuarës Dhurata Hoxha avokati Florent Latifaj, lidhur me disa dokumente që sipas tij tregojnë me çka merret kompania “Madison Global”.

Latifaj ka propozuar të administrohen si prova edhe disa artikuj të gazetave, të cilat sipas tij dëshmojnë se si rezultat i lobimit të kompanive, Kosova ka arritur për herë të parë në histori të takohet me presidentin francez, si një ndër kundërshtarët më të mëdhenj për liberalizimin e vizave në atë kohë.

Kurse prokurori special ka shtuar se këto takime nuk dihet nëse kanë qenë takime të rëndomta në kuadër të ministrave apo të realizuara nga kompania për lobim.

Prova të reja kanë propozuar edhe mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë, avokatët Mehdi Geci, Agon Rrecaj, Albana Kelmendi dhe Ramë Gashi.

Lidhur me provat e propozuara të avokates Albana Kelmendi, të cilat kanë qenë në gjuhën angleze, trupi gjykues ka kërkuar që të njëjtat të dorëzohen në gjuhën zyrtare.

Lidhur me këtë ka pasur vërejtje avokati Florent Latifaj duke pretenduar se po shkelet parimi i barazisë së palëve në procedurë, për shkak se disa prova të dorëzuara në gjuhën angleze nga prokuroria janë pranuar nga gjykata.

Andaj, trupi gjykues ka obliguar prokurorinë që provat materiale shkresore, të dorëzohen në gjuhën shqipe duke u bazuar se gjuha e procedimit është gjuha përkatëse.

Gjithashtu ka obliguar avokaten Albana Kelmendi që deri në seancën e radhës t’i dorëzoj gjykatës propozimet në gjuhën zyrtare.

Lidhur me të gjitha propozimet për administrimin e provave të reja, nga prokuroria dhe mbrojtja, trupi gjykues do të vendos në seancën e radhës e cila është caktuar për datat 5 dhe 7 prill 2023.

Sipas aktit akuzues, ish-ministrja Hoxha, më datë 11.05.2018, ka tejkaluar kompetencat e saja duke dërguar kërkesë tek Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, tani i pandehuri Demush Shasha, nisjen e procedurave tenderuese për aktivitetin Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së, duke përcaktuar procedurën e prokurimit që duhej aplikuar dhe duke përcaktuar kompaninë “Majorelle PR and events” si operator me të cilin duhej të lidhej kontrata.

Aktakuza thotë se ky veprim është ndërmarrë ndonëse duke u bazuar në ligj kjo nuk ishte kompetencë e ministres dhe në këtë mënyrë operatorit të lartcekur i ka mundësuar përfitim në vlerë prej 180 mijë eurosh. Ndërsa akti akuzues thotë se ish-ministrja Hoxha, më datë 21.02.2019 kishte marrë përsëri të njejtat veprime me qëllim të vazhdimit të kësaj kontrate.

Aktakuza gjithashtu thotë se e njëjta akuzohet që ka vepruar në të njëjtën mënyrë, për të njëjtin aktivitet të prokurimit duke i mundësuar kompanisë tjetër “Madison Global Strategies LLC” përfitimin në vlerë prej më shumë se 150 mijë eurosh. Lidhur me këto të procedura të tenderimit po akuzohen edhe Drejtori i Divizionit të Prokurimit në MIE, Fitim Mustafa dhe dy Sekretarët e Përgjithshëm, Demush Shasha e Kushtrim Cukaj.

Sipas aktit akuzues ata kanë iniciuar dhe zhvilluar këto procedura tenderuese edhe pse ka qenë në dijeni se kërkesat e ministres kanë qenë në kundërshtim me ligjin. Në këtë akt akuzues i përfshirë është edhe Nuhi Osmani, i cili dyshohet se si UD i Sekretarit të Përgjithshëm në MIE ka nënshkruar kontratën me kompaninë “Majorelle PR and events”, me ç‘rast i ka mundësuar përfitimin e dobisë pasurore në vlerë prej 180 mijë eurosh./Drejtësia Sot

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter