Policia e Kosovës njofton se dje në orët e vona në Fushë Kosovë ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje”.
Personi i arrestuar dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila më pas ka pranuar edhe tretman mjekësor.
Kurse, pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Ndryshe, në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës janë dhënë informata edhe për tri raste të tjera që kanë të bëjnë me dhunën në familje.
Kësisoj, një rast i tillë ka ndodhur në Kaçanik, ku një femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje në familje, bashkëshorti i saj i ka demoluar orenditë shtëpiake.
Palët janë intervistuar dhe më pas i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rast i dhunës në familje është raportuar edhe në Prizren, ku Policia ka arrestuar një person të dyshuar se ka ushtruar dhunë ndaj motrës së tij.
Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Në fund, ndalim 48 orësh është caktuar edhe ndaj një personi tjetër, i cili dyshohet se në Klinë, më 4 shkurt 2023, kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Policia njofton se viktima e rastit ka pranuar tretman mjekësor si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga bashkëshorti i saj./Drejtësia Sot