Lutfi dhe Arban Dervishi, të akuzuar për transplantim të kundërligjshëm të organeve njerëzore në ordinancën “Medicus”, kanë shfrytëzuar të drejtën që të mbrohen në heshtje.
“Drejtësia Sot” raporton se këtë të drejtë të akuzuarit e shfrytëzuan gjatë seancës së sotme të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Fillimisht, i akuzuari Lutfi Dervishi është deklaruar vetëm në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Besnik Berisha, i cili ka thënë se ordinanca “Medicus” ka pasur licencë për mbledhje, ruajtje, transport dhe transplantim të indeve dhe organeve njerëzore.
Tutje, ai tha se personalisht nuk kishte marrë pjesë në transplantimin e veshkëve në ordinancën “Medicus”, si dhe asnjëherë nuk kishte rekrutuar ndonjë pacientë, apo komunikuar me ta direkt apo indirektë, brenda apo jashtë vendit për shërbime të karakterit transplantues.
Gjithashtu, ai ka thënë se asnjëherë nuk kishte paguar ndonjë dhurues apo marr para nga ndonjë pranues i organeve, përderisa ordinanca “Medicus” ka kryer shërbime bazuar në licencë.
Pas përfundimit të pyetjeve të mbrojtësit të tij, i akuzuari Lutfi Dervishi ka shfrytëzuar të drejtën që më tutje të mbrohet në heshtje.
Po ashtu edhe i akuzuari Arban Dervishi ka shfrytëzuar të drejtën që të mbrohet në heshtje.
Pas kësaj, me pajtimin e palëve, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kukaj-Mekaj vendosi që seanca e radhës të mbahet më 2 mars 2023, në të cilën është planifikuar që të jepet fjala përfundimtare e palëve.
Ndryshe, fillimisht në këtë seancë trupi gjykues, prokuroria dhe mbrojtja kanë mbajtur një seancë me dyer të mbyllura, ku janë specifikuar provat materiale të cilat duhet të shpallen të papranueshme dhe të cilat duhet të administrohen.
Pas vazhdimit të seancës me dyer të hapura, trupi gjykues ka komunikuar provat të cilat janë shpallur të papranueshme, e të cilat kanë qenë dëshmitë e dy dëshmitarëve të mbrojtur (T4 dhe W3), dëshmia e grafologut Tahir Ukaj, disa raporte mjekësore të marra pas përfundimit të fazës së hetimeve, disa raporte të policisë kufitare, disa të dhënat nga policia dhe ftesat nga spitali “Medicus” të marra gjatë bastisjes etj.
Ndërsa, si prova të cilat u administruan në këtë shqyrtim janë të gjitha provat e propozuara në aktakuzë nga faqja 44, e deri në fund.
Kujtojmë se me vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit, të datës 06.11.2018, ajo kishte konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë përmban dispozitave kontradiktorë dhe është i mangët në raport me veprimet inkriminuese të të akuzuarit Lutfi Dervishi.
Ndërsa për të akuzuarin Arban Dervishi, fillimisht ishte veçuar procedura për shkak se gjendej në arrati, ndërsa me sigurimin e prezencës së tij është bashkuar procedura penale dhe tani akuzohet së bashku me babain e tij, Lutfi Dervishi.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në vitin 2010 kishte ngritur aktakuzë ndaj urologut Lutfi Dervishi, djalit të tij Arban Dervishi, mjekëve Driton Jilta, Sokol Hajdini, Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla, dhe ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj, për shkak të transplantimit të kundërligjshëm të organeve njerëzore.
Për këtë, ata akuzoheshin për veprat penale “Krim i organizuar”, “Trafikim me qenie njerëzore”, “Mashtrimi”, “Lëndim i rëndë trupor”, “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarive mjekësore” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.
Lutfi dhe Arban Dervishi, fillimisht nga gjykata e shkallës së parë ishin shpallur fajtor dhe ishin dënuar me burgim dhe me gjobë, ashtu që i akuzuari Lutfi Dervishi, ishte dënuar me 8 vite burgim e 10 mijë euro gjobë, ndërsa Alban Dervishi ishte dënuar më 7 vite e 3 muaj burgim si dhe 2.500 euro gjobë.
Me këtë aktgjykim, Sokol Hajdini, ishte liruar nga akuza për veprën penale “Krim i organizuar”, por ishte dënuar me 3 vite burgim për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, si dhe ndaj tij ishte shqiptuar dënimi plotësues i ndalimi të ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej 1 viti.
Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla ishin dënuar me 1 vit burgim me kusht për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj, ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale “Shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimeve”.
Gjykata në atë kohë pati liruar nga akuza Driton Jiltan, për veprat penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarive njerëzore” dhe “Shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimeve”, për shkak të parashkrimit./Drejtësia Sot