Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e ka gjetur përgjegjës për shkelje disiplinore prokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti, lidhur me fotografitë ku ai shihet bashkë me një person që thuhet të jetë me dosje të rëndë penale.
Fotografitë ku shihej prokurori Hamiti i shoqëruar me personin e dënuar Sh.K, u publikuan më datë 16 mars 2022, përkatësisht dy ditë para fillimit të intervistimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit, pozitë të cilën e synonte edhe vetë prokurori në fjalë.
Një ditë më pas, KPK kishte kërkuar që Autoriteti Kompetent të ndërmarrë veprime në përputhje me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore për Prokurorë dhe Gjyqtarë dhe nëse ka shkelje eventuale ligjore.
Lidhur me këtë çështje, Autoriteti Kompetent – Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, më 24 mars 2022, i ishte drejtuar KPK-së që të fillohet procedura disiplinore me arsyetimin se takimi i prokurorit Hamiti me të dënuarin Sh.K, përben shkelje disiplinore.
Autoriteti Kompetent kishte pretenduar se prokurori Hamiti kishte kryer shkeljet disiplinore “shkel detyrat e tij zyrtare si prokuror” dhe “përfshihet në sjellje, qoftë kur është në detyrë apo privatisht, të cilat dëmtojnë reputacionin e prokurorit të shtetit ose që mund të dëmtojnë besimin e publikut në paanshmërinë ose besueshmërinë e prokurorit të shtetit”.
Në vendimin e KPK-së thuhet se pas përfundimit të hetimit disiplinor dhe administrimit të provave lidhur me këtë cështje disiplinore, më 29 nëntor 2022, erdhi në përfundim se prokurori Armend Hamiti, me rastin e takimit të bërë më të dënuarin Sh.K., ka kryer shkeljet disiplinore që i ka pretenduar Autoriteti Kompetent.
Prandaj, KPK ndaj prokurorit Hamiti kishte shqiptuar masën disiplinore “Vërejtje publike me shkrim”.
Vendimi i Këshillit ishte ankimuar nga prokurori në Gjykatën Supreme, e cila më 18 janar 2023, ka konstatuar se vendimi i KPK-së është i drejtë dhe i ligjshëm.
Sipas vlerësimit të kësaj Gjykate, dispozitivi i vendimit të Këshillit është i qartë, në harmoni me arsyet e vendimit dhe në përputhje logjike dhe juridike me arsyetimi e tij.
Supremja thekson se masa disiplinore e shqiptuar, nga KPK, është proporcionale në raport me shkeljen e kryer nga ana e subjektit hetimor dhe është në zbatim të përgjegjësive ligjore që ka KPK në procedurën disiplinore ndaj Prokurorëve sipas Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Në fund, Gjykata Supreme thekson se ankesa e prokurorit Hamiti ndaj vendimit të KPK-së u refuzua, për faktin sepse nuk u provua se në rastin konkret është bërë zbatimi i gabuar i ligjit, as shkelje procedurale të përcaktuar me ligj dhe as ndonjë gabim i qartë apo i dukshëm i cili ndikon në të drejtat substanciale të palës./Drejtësia Sot