Anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) kanë miratuar amandamentet e reja të Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës.
Miratimi i këtyre amandamenteve u bë sot gjatë takimit të 232-të të KPK-së, të udhëhequr nga Kryesuesi Jetish Maloku.
Kujtojmë që plotësimi dhe ndryshimi i Rregullores Nr. 06/2019 për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës erdhi si shkak i ndryshimit të Ligjit për Prokurorin e Shtetit.
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) më 12 korrik 2023, ka dërguar në KPK komentet mbi çështjet që duhet të ketë parasysh ky institucion gjatë hartimit të amandamenteve për Plotësimin dhe Ndryshimin e kësaj Rregulloreje.
Ndër të tjera, GLPS ka kërkuar nga KPK që ndryshimet në këtë Rregullore të bëhet në drejtim të:
- Sigurisë që proceset e emërimit të Kryeprokurorëve të jenë objektive, transparente, jo-diskriminuese, gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në merita;
- Të bëhen ndryshime adekuate në Udhëzuesin dhe në formularin e Koncept Dokumentit për kandidatët për Kryeprokurorë të Prokurorive dhe Kryeprokuror të Shtetit;
- Sa i përket Udhëzuesit, ndryshimet në të janë nevojshme për faktin se në versionin aktual i njëjti është i orientuar më shumë drejt vlerësimit të njohurive teorike se sa i bazuar në shkathtësi dhe aftësi të cilat ndërlidhen me pozitën e Kryeprokurorit;
- Të rishikohen pyetjet në formularin e koncept dokumentit për Kryeprokuror (të Shtetit), ashtu që të njëjtat të jenë të bazuara në ligjet pozitive;
- Të kihet kujdes që në këtë formular të ketë pyetje vetëm sa i përket kompetencave të Kryeprokurori të Prokurorisë/Kryeprokurorit të Shtetit dhe jo të KPK-së;
- Të rishikohen kriteret për zgjedhjen e Kryeprokurorëve dhe vlerat e poentimit e tyre.
Ndryshe, në takimin e sotëm, KPK-ja përmes komunikatës për media njoftoi se ka miratuar edhe plotësim/ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për Caktimin e Normës Orientuese për Prokurorët e Shtetit, i cili thuhet se është hartuar në përputhje me Ligjin e ri për Prokurorin e Shtetit.
Po ashtu, pas miratimit të ndryshimeve të Rregullores për emërimin e Kryeprokurorëve, anëtarët e KPK-së morën vendimin që nga data 1 gusht 2023 të publikohet shpallja e konkursit për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
Tutje, KPK njoftoi se në këtë takim u miratua edhe Rregulloren për Shtesat dhe Kompensimet për Prokurorët e Shtetit dhe të Punësuarit në Sistemin Prokurorial.
Më pas, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka caktuar prokuroren speciale, Ilirjana Çollaku-Tafa në pozitën e anëtares së Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel.
Kurse, lidhur me pikën e rendit të ditës që kishte të bënte me caktimin e Zyrtarit Përgjegjës për Qasje në Dokumente Publike, Këshilli vendosi që në këtë detyrë të caktoi Bedri Gashi, që aktualisht mban pozitën e UD Udhëheqësit të Zyrës për Komunikim Publik në Sekretariatin e KPK-së.
Në përfundim të takimit, Këshilli aprovoi propozimin për lirim nga detyra të një prokurori me rastin e pensionimit të tij. Ky propozim do të dërgohet tek Zyra e Presidentes së Kosovës./Drejtësia Sot
Monitoruar nga Lebibe Hyseni