Gjykata Themelore në Gjakovë-Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur sot seancën e rigjykimit ndaj Mehmet Lekaj i cili po akuzohet për veprën penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës së Pokurorisë Themelore në Gjakovë, Mehmet Lekaj po akuzohet se në cilësinë e zyrtarit administrativ të Zyrës për gjendje Civile në fshatin Molliq të Komunës së Gjakovës, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare në kundërshtim me Ligjin nr.04/L-215, neni 29 dhe Udhëzimit Administrativ nr.05/2017, ka futur në sistem personin Sokol Tola duke gjeneruar të dhënat e numrit të tij personal, me qka i ka mundësuar paisjen me dokumente nga zyra e gjendjes civile.
Gjykata Themelore në Gjakovë me datën 01.03.2023 ka caktuar dhe ka mbajtur shqyrtimin gjyqësor ku pas leximit të aktakuzës i pandehuri e ka pranuar fajsinë, të cilin pranim fajsie gjykata e ka pranuar dhe ka marrë aktgjykim dënues me të cilin të akuzuarit i ka shqiptuar dënim me burgim për 6 muaj e i cili dënim mund të zëvëndësohet me dënim me gjobë në shumën prej 2,600 euro, si dhe dënimin plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej dy vitesh.
Në seancën e rigjykimit prezent ishin prokurorja e shtetit Dëshire Jusaj, i akuzuari Mehmet Lekaj dhe mbrojtësi i tij Besnik Haxhijanuzi, dëshmitarët Fatos Zeka dhe Teuta Vokshi.
Mehmet Lekaj po akuzohet për veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, i cili gjatë seancës së rigjykimit u deklarua së nuk ndjehet fajtor për veprën penale e cila i vihet në barrë./Drejtësia Sot
Monitoruar nga Yllka Shabanaj