Sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës-Departamenti për Krime të Rënda, është shpall aktgjykim lirues kundër dy të pandehurve Ismet Haliti dhe Skender Canolli, ish-zyrtar Komunal, të cilët akuzoheshin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ .
Gjyqtari rastit Avni Syla ka bërë shpalljen e këtij aktgjykimi, duke theksuar se nuk ka prova se të akuzuarit kanë kryer vepër penale si në aktakuzë.
Shpenzimet e procedures bien në barrë të gjykatës, ndërsa palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 9 qershor 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Ismet Haliti dhe Skënder Canolli të cilët në vazhdimësi nga muaji qershor i vitit 2008 deri në muajin prill të vitit 2014, i pandehuri Ismet Haliti në cilësinë e personit zyrtar Shef i Sektorit të Ndërrimit në Komunën e Prishtinës, ndërsa i pandehuri Skënder Canolli në cilësinë e personit zyrtar – Ekzekutues – Përmbarues në Komunën e Prishtinës, nuk kanë vepruar në kuadër të detyrës zyrtare.
Sipas kësaj aktakuze, të pandehurit nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie pasurore Habib Vllasaliu, ashtu që nuk kanë zbatuar në tërësi aktvendimin e Komunës së Prishtinës 09 nr.354.20069 të datës 6 tetor 2006, për rrënimin e objektit të ndërtuar pa leje në pronën e Habib Vllasaliut edhe përkundër faktit se i pandehuri Ismet Haliti është njoftuar në formën e shkruar nga Inspektorët e ndërtimit se duhet të veprohet sipas aktvendimit të datës 5 tetor 2006 dhe se objekti duhet të rrënohet.
Tutje, sipas aktit akuzues të njëjtit edhe për kundër njoftimeve nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare me ç’rast i kanë mundësuar përfitim Habib Vllasaliut nga ndërtimet pa leje nga organi kompetent.
Me këtë, nga Prokuroria Themelore po akuzohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /Drejtësia Sot
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti