Në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamentin Special ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor në rastin “Stenta 2”, ku 37 të akuzuarit, po dyshohen se në pozitën e mjekëve në SHSKUK në Prishtinë, kanë kryer veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë si dhe Marrje ryshfeti.
Në këtë seancë u dha fjala përfundimtare nga mbrojtësit e të akuzuarve Ismail Avdimetaj, Petrit Ademaj, Afërdita Selmanaj, Salih Shala, Luan Pazhari, e cila u dorëzua në formë të shkruar, ndërsa u elaborua shkurtimisht në këtë seancë.
Sikurse edhe fjala përfundimtare e të akuzuarve tjerë në seancat e kaluara, edhe sot mbrojtësit e të akuzuarve kërkuan nga trupi gjykues që të mbrojturit e tyre të lirohen nga aktakuza, me qenë se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor sipas tyre me asnjë provë të vetme nuk u vërtetua se të njëjtit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen sipas aktakuzës.
Me akuzat e PSRK-së në këtë rast, tashmë janë duke u përballur 37 të akuzuar, përkatësisht, Gani Bajraktari, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galina Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti, Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.
Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar. Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, ngarkohen nga PSRK-ja me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.
Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje si persona zyrtar – nga pozita e mjekëve në SHSKUK në Prishtinë, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.
Duke u bazuar në aktakuzë, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë t’u mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 24 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin në asnjërin nga tri (3) nivelet e organizimit brenda sistemit publik shëndetësor.
Me këto veprime të të akuzuarve, PSRK pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro.
Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2” se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjike në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marrë ryshfet.
Pas përfundimit të fjalës përfundimtare nga ana e të akuzuarve, Kryetarja e trupit gjykues Suzana Çerkini, e shpalli të përfunduar shqyrtimin gjyqësor në këtë çështje penale, ndërsa shpallja e aktgjykimit u caktua për datën 20 shtator 2023./Drejtësia Sot
Monitoruar nga Rinor Bajrami