|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Shpallet aktgjykimi ndaj zyrtarit të Komunës së Drenasit për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamentin për Krime të Rënda është bërë shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarit Gëzim Shishani, i akuzuar për shkak të veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë si dhe veprën penale Përvetësimi në detyrë.

Trupi gjykues, me kryetarin Avni Syla, të akuzuarin e shpalli fajtorë për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, duke i shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj, i cili dënim, me pëlqimin e të akuzuarit do të zëvendësohet në dënim me gjobë në shumën prej 2000 €.

Ndërsa, për veprën penale Përvetësimi në detyrë, i akuzuari Shishani u lirua nga akuza me arsyetimin se nuk është vërtetua se i njëjti ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohej.

Po ashtu, i akuzuari Gëzim Shishani u obligua që ti paguaj Komunës së Drenasit dëmin e shkaktuar në vlerë prej 3571.45 €, të cilat i ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme.

Kujtojmë se i akuzuari Gëzim Shishani ishte shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe i njëjti ishte dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj si dhe me dënim me gjobë në shumë prej 1000 €, për shkak të veprës penale Përvetësimi në detyrë, ndërsa ishte liruar nga akuza për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërsa ndaj këtij aktgjykimi, në Gjykatën e Apelit, ankesë kanë ushtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, si dhe mbrojtësi i të pandehurit Gëzim Shishani, Av. Amir Bunjaku.

Gjykata e Apelit, ankesat e Prokurorisë dhe mbrojtësit të të akuzuarit i ka aprovuar në mënyrë të pjesshme dhe këtë çështje e ka kthyer në të njëjtën gjykatë në rigjykim dhe vendosje, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Ndryshe, sipas aktakuzës, i akuzuari Gëzim Shishani, akuzohej  se në cilësinë e personit zyrtar- në pozitën Udhëheqës i Personelit në Komunën e Drenasit, prej muajit nëntor të vitit 2008, në vazhdimësi deri në muajin korrik të vitit 2018, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme për vete në atë mënyrë që ka realizuar pagën me koeficientin e pagës 11.3, në vend që të realizonte pagën me koeficient 9.5, ashtu që vetit i ka sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm në shumën e përgjithshme prej 13.454,94€.

Me këto veprime, i akuzuari Gëzim Shishani, akuzohej se ka kryer veprat penale: Përvetësimi në detyrë si dhe Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë./Drejtësia Sot

Monitoruar nga Rinor Bajrami dhe Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter