|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për krim të organizuar

Ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamentin Special, ku të akuzuarit Fatmir Musliji dhe Brahim Xhemajli, pritej të gjykoheshin për veprën penale: Krimi i organizuar lidhur me veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Shkak për shtyrjen e kësaj seance ishte mungesa e të akuzuarit Fatmir Musliji, i cili sipas mbrojtësit të tij Av. Besnik Berisha, ka pësuar një aksident në vendin e punës dhe se nuk mund të ishte i pranishëm për këtë seancë.

Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Musliji, Av. Besnik Berisha, e njoftoi gjykatën se i njëjti nuk do të mund të jetë i pranishëm edhe për seancën e planifikuar me datë 22 shtator dhe kërkoj nga gjykata që e njëjta të anulohet.

Pas kësaj kërkese, kryetari i trupit gjykues Mentor Bajraktari, i njoftoj të pranishmit se kjo seancë shtyhet si dhe seanca e datës 22 shtator anulohet, ndërsa seancat e radhës u caktuan për datat 16 dhe 17 nëntor 2023.

Ndryshe sipas aktakuzës, të pandehurit Fatmir Musliji dhe Brahim Xhemajli, po akuzohen se duke vepruar në bashkëpunim si një grup kriminal i strukturuar dhe i organizuar, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, pa autorizim kanë shitur dhe transportuar substanca të cilat janë shpallur të rrezikshme, të llojit heroine, në atë mënyrë që i pandehuri Fatmir Musliji e ka formuar dhe organizuar këtë grup kriminal të përbërë nga persona të ndryshëm mes tyre dhe të pandehurit Brahim Xhemajli dhe Z.G, të cilin grup i pandehuri Fatmir e ka mbikëqyrë, udhëheqë dhe ka drejtuar veprimet e tyre, ashtu që gjatë periudhës kohore shumëvjeçare nga burimet e panjohura rregullisht kanë blerë substanca narkotike të llojit heroin dhe për atë heroinë pastaj, i pandehuri Fatmir përmes telefonit, duke përdorur për çdo dërgesë një numër tjetër kontakti, pa autorizim e ka organizuar shitjen dhe transportimin në shtetet perëndimore, kryesisht në Gjermani, nëpërmjet rrugëve tokësore të disa shteteve, ndërsa për pjesën më të vogël të heroinës e ka organizuar shitjen e paautorizuar në tregun kosovar.

Kujtojmë se në këtë çështje penale ka qenë i akuzuar edhe Z.G, mirëpo me qenë se i njëjti ka ndërruar jetë, ka pushuar procedura penale ndaj tij.

Me këto veprime të akuzuarit po akuzohen se kanë kryer veprën penale: Krimi i organizuar e parashikuar me nenin 274, par. 3 lidhur me veprën penale: Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike të parashikuar nga neni 229 par. 1 nënpar.1 lidhur me par. 2 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës.

Ndërsa, i pandehuri Fatmir Musliji gjithashtu po akuzohet edhe për veprën penale: Shpërlarja e parave nga neni 32 par. 1 dhe 2 nënpar. 2.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit./Drejtësia Sot

Monitoruar nga Rinor Bajrami

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter