|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Rasti “53 Milionshi”- ish-Ministri Lutfi Zharku përfundon dëshminë e tij në Gjykatë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamentin Special, në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar ish-Ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku, në rastin ku ish-Ministri Pal Lekaj si dhe zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës Esat Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, po akuzohen për veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ish-Ministrit Lutfi Zharku ishte propozuar nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë që të jep dëshminë e tij lidhur me këtë rast, pasi që i njëjti sipas Gjykatës përmban njohuri relevante lidhur me rastin.

Dëshmitari Zharku deklaroi se kontrata është nënshkruar në shkurt të vitit 2014 dhe se kontrata ka pasur shumën prej 600 milion euro dhe se është nënshkruar në mes të Bechtel&Enka si dhe Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Infrastrukturës.

Përgjatë dëshmisë së tij, ish-Ministri Lutfi Zharku deklaroi se sipas tij ishte gabim nënshkrimi i kësaj marrëveshje nga ana e ish-ministrit Pal Lekaj, pasi që e njëjta kontratë nuk ka përmbajtur koston dhe se ai më parë nuk kishte dëgjuar ndonjë rast ku nënshkruhet një kontratë e cila nuk përmban edhe koston.

Kujtojmë që, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në aktakuzën PPS.nr.40/2019, të datës 4 shkurt 2022, ngarkon ish-ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj, së bashku me Nebih Shatrin dhe Eset Berishën, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, të KPRK-së.

Kurse, në rastin e njëjtë, më datë 18 shkurt 2022, PSRK kishte ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit, po për të njëjtën vepër penale.

Sipas PSRK-së, me datë 27.09.2017, në Ministrinë e Infrastrukturës në Prishtinë, në cilësi të personave zyrtar, Pal Lekaj – Ministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe si Kryesues i Komitetit Ndërkombëtarë (KDNM) dhe Nebih Shatri – Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri- Drejtor i Prokurimit Publik në MI, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.

Me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës e në dobi të personit tjetër, në atë mënyrë që të njëjtit më kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe me kushtet e kontratës, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel&Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve, saktësisht për 347 ditë tjera, duke mos caktuar kosto financiare.

E në këtë drejtim i kanë lënë hapësirë OE “Bechtel&Enka” që të paraqesin kërkesë për pagesën e shumës shtesë në vlerën prej 53.100.000.00 euro, ku si pasoj e këtyre veprimeve të të pandehurve, është aprovuar për pagesë nga Qeveria e RKS-së, shumë kjo e cila është në kundërshtim të plotë me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës, e me ç’rast me veprimet e të pandehurve buxhetit të RKS-së, i është shkaktuar dëm në vlerë 38.321.346.00 euro.

Seanca e radhës pritet të mbahet nesër me datë 03.10.2023, në të cilën pritet që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet ish-Kryeministri Avdullah Hoti.

Personat e lartëcekur janë të pafajshëm derisa pafajësia e tyre të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë nga gjykata./Drejtësia Sot

Monitoruar nga Rinor Bajrami dhe Arta Hyseni

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter