|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohet dëshmitari i radhës në rastin e zyrtarëve të Drejtorisë për Gjeodezi në Komunën e Fushë Kosovës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamentin për Krime të Rënda është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku zyrtarët e e Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunë e Fushë Kosovës, po akuzohen për Keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe veprat penale Legalizimi i përmbajtjes së rreme dhe Falsifikimi i dokumenteve.

Dëshminë e tij në këtë seancë e ka dhënë dëshmitari B.H, të cilët ju parashtruan pyetje nga Prokurorja e Shtetit Bukurije Gjonbalaj, përfaqësuesi i ATK-së si dhe nga mbrojtësi i të pandehurit Ejup Gërguri. Përgjatë deklarimit të tij, dëshmitari B.H, deklaroj se ai me të parë që prona e tij kishte qenë pjesë e valës së privatizimit, për të cilën ai deklaroj se ka dhënë kapar prej 5000 euro, ka shkuar në AKP dhe se ata i kanë thënë se nuk mund të japin informata lidhur me këtë tokë, pasi që i njëjti nuk është pronar i kësaj toke.

Pas dëgjimit të dëshmitarit, kryetari i trupit gjykues, vazhdimin e kësaj seance e caktoj për datën 09 nëntor 2023.

Sipas aktakuzës, Bekim Sabedini akuzohet se në bashkëkryerje me të pandehurin Zoran Ballaban, i cili tani më gjendet në arrati, kanë kryer veprat penale ” Legalizim të përmbajtjes së rreme” si dhe veprën penale ” Falsifikimi i dokumenteve”.

Në aktakuzës, i pandehuri Zoran Ballaban, akuzohet se ka falsifikuar aktgjykimin e Gjykatës Komunale në Prishtinë, që ka të bëjë me ngastrën kadastrale në Fushë Kosovë në sipërfaqe prej 21379 metër katror, e cila është pronë shoqërore e të dëmtuarës “KBI Kosova Export”, e cila administrohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, si dhe pastaj ka legalizuar me përmbajtje të rreme aktgjykimin e falsifikuar C.nr.1381/90, të datës 30 gusht 1994, tek noteri Skender Dumani, në Komunën e Podujevës.

Ndërsa Bekim Sabedini, me dt. 22 dhjetor 2015 duke marrë autorizim nga i akuzuari Zoran Ballaban, që të ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme për parcelën e lartëcekur, i akuzuari Bekim Sabedini me aktgjykimin e falsifikuar dhe vendimin e Komunës së Prishtinës me nr.8029 të datës 14.04.1964, e ka noterizuar aktgjykimin e falsifikuar C.nr.1381/90 të datës 30 gusht 1994 tek noteri Skender Dumani, duke legalizuar përmbajtjen e pavërtetë, duke prezantuar aktgjykimin e lartcekur të falsifikuar të Gjykatës Komunale në Prishtinë, ashtu që i njëjti më datë 19 korrik 2016, ka bërë kërkesë në Drejtorinë e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës në Komunën e Fushë Kosovës, për regjistrimin e parcelës me nr. 187/1 dhe arrin të regjistrojë pronën në emrin e personit Bogdan Ballaban.

E akuzuara Liridona Mustafa-Sadiku, në cilësinë e personit zyrtarë, Zyrtare Ligjore në Drejtorinë e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës në Komunën e Fushë Kosovës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e saj zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër, e njëjta ka tejkaluar autorizimet zyrtare, ashtu që ka nxjerrë aktvendim, me të cilën është aprovuar kërkesa e Bogdan Ballaban, duke mos e verifikuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktgjykimin e lartcekur dhe e njëjta ka marrë të dhëna nga dy aktgjykime ku ngastrën me nr.187/1 e merr nga lënda C.nr.1381/90, kurse numrin e lëndës në sipërfaqe 21379 metër katror, e merr nga lënda C.nr.1381/90, kurse numrin e lëndës në aktvendim e shkruan C.nr.1378/90, aktgjykim lidhur me ngastrën kadastrale në sipërfaqe prej 287.52 ari të cilat Bogdan Ballaban vite më parë i kishte shitur. Me këtë e akuzuara Liridona Mustafa Sadiku, po akuzohet se ka kryer veprën penale ” Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Tutje, i akuzuari Ejup Gërguri sipas aktakuzës akuzohet se në cilësinë e personit zyrtarë, në pozitën e Operatorit Kadastral në Drejtorinë e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës në Komunën e Fushë Kosovës, duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, me qëllim të përfitoj çfarëdo dobie pasurore për vete apo personin tjetër, ka lëshuar certifikatën e pronës në emrin Bodgan Ballaban, edhe pse është bërë revokim i aktvendimit, i nënshkruar dhe i vulosur nga ai dhe i akuzuari Jakup Tërnava.

Po ashtu edhe i akuzuari Ejup Gërguri, akuzohet se ka kryer veprën penale ” Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

I akuzuari Fehmi Mustafa, akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, në pozitën e shefit të kadastrit në Drejtorinë e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës në Komunën e Fushë Kosovës, duke shfrytëzuar pozitën apo autoritetin zyrtarë, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për veten apo personin tjetër, edhe pse ka qenë në dijeni për revokimin e vendimit për ngastrën kadastrale 187/1, është përpiluar dhe nxjerrë aktvendim për mbajtje, posedim të trashëgimisë në emër të Zoran Ballaban, nga ana e të akuzuarës Liridona Mustafa Sadiku, e vulosur dhe nënshkruar nga i akuzuari Fehmi Mustafa, duke e ditur se ngastra e lartcekur është pronë shoqërore e të dëmtuarës KBI Kosova Export. I akuzuari Mustafa, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa, i akuzuari Jakup Tërnava, akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, drejtor në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Fushë Kosovës, duke e shfrytëzuar pozitën dhe autoritetin e tij zyrtar, me qëllim që përfitoj çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër, nuk e ka verifikuar fare lëndën dhe nxjerrjen e aktvendimit të datës 22 gusht 2016, ku është aprovuar kërkesa e Bogdan Ballaban për ngastrën kadastrale 187/1, duke e ditur se është pronë shoqërore e të dëmtuarës KBI Kosova Expert.

Me këtë, i akuzuari Jakup Tërnava, akuzohet se ka kryer veprën penale ” Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Seanca e radhës është caktuar që të mbahet për datën 28 shtator 2023, në të cilën do të dëgjohet dëshmitari i rradhës

Personat e lartëcekur janë të pafajshëm derisa pafajësia e tyre të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë nga gjykata./Drejtësia Sot

Monitoruar nga Arta Hyseni dhe Rinor Bajrami

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter