|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëshmon dëshmitari i radhës në rastin e keqpërdorimeve me subvencione

Ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarit tjetër në rastin ‘Subvencionet 1’, ku Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj akuzohen nga Prokuroria Speciale, për kryerjen e veprave penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, dhe “Mashtrim me subvencione”.

Prokurori special Rafet Halimaj në pyetjet e tij të parashtruara ndaj dëshmitarit, ndërlidhi provat me akuzën që akuzohen të pandehurit tjetër, përkatësisht lidhur me ryshfetin e dhënë për përfitimin e subvencioneve në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, si dhe takimet me tashmë të akuzuarit në këtë rast, të cilat shpërfaqin keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe mashtrimin me subvencione sipas dyshimeve të Prokurorisë Speciale.

Në pyetjen lidhur me kontrollat e inspektoriatit, dëshmitari Mavraj deklaroi se pas superkontrollës nga AZHB-ja dhe pas inspektimit është njoftuar se një pjesë e të mbjellurave është në tokë të komunës. 

Lidhur me deklaratat e dhëna më herët, dëshmitari bashkëpunues Mavraj u ballafaqua me pyetjet e mbrojtjes së të akuzuarve.

Mbrojtësi i të akuzuarit Kushtrim Zogaj, avokati Granit Vokshi në pyetjet e parashtruara ndaj dëshmitarit, paraqiti vëmendjen tek dhënia e parave ndaj të akuzuarit Zogaj, si dhe takimet me Selman Balaj.

Gjyqtari i rastit Kujtim Krasniqi, pas kundërshtimit nga prokurori Halimaj lidhur me pyetjen e mbrojtësit Naim Rudari ndaj dëshmitarit bashkëpunues Mavraj lidhur me veprat që është dënuar dhe u janë falur nga Prokuroria sipas marrëveshjes për pranimin e fajësisë, ndaloi pyetjen e bërë, e cila u ripërsërit nga mbrojtësi tjetër Arianit Koci.

Lidhur me dhënien e ryshfetit dhe takimet me të akuzuar tjerë, paraqitën pyetje edhe mbrojtësit tjerë.

Dëshmitari bashkëpunues Mavraj, kishte pranuar fajësinë në fillim të shqyrtimit gjyqësor dhe marrëveshja për pranimin e fajësisë ishte pranuar nga trupi gjykues në seancën e datës 13 prill 2022, ndërsa aktgjykimi dënues ishte shpallur më 19 prill 2022. I njëjti ishte dënuar me 6 muaj burgim, i cili me pëlqimin e palës zëvendësohet me dënim me gjobë në shumën prej 500 euro, si dhe ishte obliguar që në emër të dëmit të shkaktuar, të paguajë shumën prej 15 mijë euro e 38 euro.

Ndërsa seanca e paraparë të vazhdonte pasdite, ku do dëgjohej dëshmitari Arben Muslia dështoi të vazhdonte, si shkak i mungesës së të akuzuarit Berat Nika.

Seancat e radhës do të mbahen më datë 24 dhe 27 nëntor, si dhe 1 dhjetor 2023.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës./Drejtësia Sot

Monitoruar nga Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter