Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamentin Special, në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar ish-Kryeministri Avdullah Hoti, në rastin ku ish-Ministri Pal Lekaj si dhe zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës Esat Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, po akuzohen për veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ish-Kryeministri Avdullah Hoti, i cili në kohën e cila është objekt i kësaj akuze ka qenë Ministër i Financave, ishte propozuar nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë që të jep dëshminë e tij lidhur me këtë rast, pasi që i njëjti sipas Gjykatës përmban njohuri relevante lidhur me rastin.
Dëshmitari Avdullah Hoti, përgjatë dëshmisë së tij, deklaroj se në kohën sa ka qenë Ministër i Financave, të gjitha obligimet lidhur me kontratën për rrugën Arbën Xhaferi janë kryer dhe se nuk ka ndonjë fakturë që lidhet me këtë projekt dhe që ka mbetur e pa paguar nga buxheti i Shtetit.
Tutje, Ish-Kryeministri Avdullah Hoti, deklaroj se me qenë se projekti ka qenë kapital dhe me kosto të lartë, ka qenë e rëndësishme që të themelohet një komision ndërministror me qëllim që ky projekt të ketë një lloj kontrolli.
Kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani, bëri të ditur se për seancën e radhës priten të dëgjohen edhe 2 dëshmitar, njëri pronar i kompanisë “Bechtel&Enka” si dhe pronari i kompanisë “ Hill International”, për të cilën Prokurori Special Valdet Gashi, deklaroj se do të ndërmarrë të gjitha veprimet që të siguroj prezencën e tyre në këtë shqyrtim gjyqësor.
Seanca e radhës u caktua me datë 22 nëntor 2023.
Kujtojmë që, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në aktakuzën PPS.nr.40/2019, të datës 4 shkurt 2022, ngarkon ish-ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj, së bashku me Nebih Shatrin dhe Eset Berishën, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, të KPRK-së.
Kurse, në rastin e njëjtë, më datë 18 shkurt 2022, PSRK kishte ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit, po për të njëjtën vepër penale.
Sipas PSRK-së, me datë 27.09.2017, në Ministrinë e Infrastrukturës në Prishtinë, në cilësi të personave zyrtar, Pal Lekaj – Ministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe si Kryesues i Komitetit Ndërkombëtarë (KDNM) dhe Nebih Shatri – Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri- Drejtor i Prokurimit Publik në MI, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.
Me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës e në dobi të personit tjetër, në atë mënyrë që të njëjtit më kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe me kushtet e kontratës, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel&Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve, saktësisht për 347 ditë tjera, duke mos caktuar kosto financiare.
E në këtë drejtim i kanë lënë hapësirë OE “Bechtel&Enka” që të paraqesin kërkesë për pagesën e shumës shtesë në vlerën prej 53.100.000.00 euro, ku si pasoj e këtyre veprimeve të të pandehurve, është aprovuar për pagesë nga Qeveria e RKS-së, shumë kjo e cila është në kundërshtim të plotë me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës, e me ç’rast me veprimet e të pandehurve buxhetit të RKS-së, i është shkaktuar dëm në vlerë 38.321.346.00 euro.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës./Drejtësia Sot
Monitoruar nga Rinor Bajrami dhe Arta Hyseni