Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamentin Special ka përfunduar gjykimi ndaj të akuzuarit Nuhi Mazerku, i akuzuar nga Prokuroria Special për veprën penale : Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar, lidhur me veprën penale: Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse.
Gjykimi në këtë çështje penale filloi rishtazi, pasi që nga seanca paraprake kanë kaluar më shumë se 6 muaj.
Në të gjitha fazat e procedurës, palët në këtë seancë qëndruan pas deklaratave të dhënë në shqyrtimin gjyqësor të datës 10 qershor si dhe 14 gusht 2022.
Tutje, Prokurorja Special Merita Bina-Rugova, bëri rikualifikimin e veprës penale, ashtu që ndaj të akuzuarit hoqi pjesën në të cilën i njëjti akuzohej për Krim të Organizuar, ndërsa kërkoj nga gjykata që i njëjti të dënohet lidhur me veprën penale: Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse, pasi që sipas saj gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor pa mëdyshje u vërtetua se i njëjti ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.
Ndryshe nga Prokuroria Speciale, i akuzuari Nuhi Mazreku dhe mbrojtësi i tij Av. Burhan Qosa, kërkuan nga gjykata që i njëjti të lirohet nga akuza në mungesë të provave.
Kryetarja e trupit gjykues Suzana Çerkini, i njoftoj të pranishmit se shpallja e aktgjykimit në këtë çështje penale do të bëhet me datë 09 tetor 2023.
Ndryshe, sipas aktakuzës, i akuzuari Nuhi Mazreku, së bashku me 10 të akuzuar tjerë, akuzohet se gjatë periudhës kohore nga fillimi i vitit 2018 deri me datë 24.07.2019, në Ferizaj, Prishtinë dhe në vende të tjera në territorin e Republikës së Kosovës, të gjithë të pandehurit duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar kriminal dhe si bashkim i strukturuar, me dashje dhe me dijeni, e me qëllim që ky grup të kryej vepra penale që janë të dënueshme me burgim së paku 4 vjet, aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit duke e ditur se pjesëmarrja e tyre do të kontriboujë në realizimin e veprimtarisë kriminale për import të kundërligjshëm të armëve, duke vepruar në kundërshtim me ligjin për armët, në mënyrë të paautorizuar kanë importuar armë dhe municion të kalibrit të ndryshëm, ku të pandehurit varësisht nga roli i tyre kanë kontribuar në këtë aktivitet kriminal.
Me këtë i pandehuri, akuzohet se ka kryer veprat penale: Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar, lidhur me veprën penale: Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse.
Kujtojmë se gjykata ndaj të akuzuarve të tjerë ka shpallur aktgjykim, për disa lirues dhe për disa dënues, ndërsa ndaj të akuzuarit Nuhi Mazreku është veçuar procedura pasi që i njëjti nuk ka qenë në Republikën e Kosovës, kur ndaj të akuzuarve tjerë mbahej gjykimi.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës./Drejtësia Sot
Monitoruar nga Rinor Bajrami