Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur shqyrtimi gjyqësor, ku Lundrim Beqiri, Bekë Salihaj, Adhurim Krasniqi, Valdrin Beqiri, Arianit Pllana, Kreshnik Kurti, Fidan Cakolli, Adnan Murtezi, Gentrit Ismajli, Diar Raçi dhe Egzon Cakolli po akuzohen për disa vepra penale, në lidhje me shpërthimin me granata në lokalet ‘Riza Hair Salon’ dhe ‘Missini’.
Në lidhje me deklarimin rreth fajësisë, të 11-të të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, përveç të akuzuarit Gentrit Ismaili, në lidhje njërën nga veprat penale që akuzohet, përkatësisht ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’. Ndërsa për të akuzuarin Lundrim Beqiri, sa i përket pikes së 3-të të aktakuzës, gjykata ka marrë vendim në seancën e shqyrtimit fillestar për pranimin e fajësisë në lidhje me veprën penale për posedim të narkotikëve.
Prokurori special, Burim Çerkini në fjalën hyrëse të tij deklaroi se deri te vërtetimi i dyshimit të bazuar se të njëjtit janë përfshirë në veprimet inkriminuese, ka ardhur si rezultat i hetimit të një vepre tjetër penale, e ku në bazë të veprimeve hetimore të ndërmarra për atë vepër penale ka rezultuar se të gjithë të pandehurit pa përjashtim janë pjesë e një grupi kriminal që kanë kryer vepra penale.
Në mbështetje të deklaratës hyrëse të prokurorit Çerkini u deklarua edhe mbrojtësi i të dëmtuarit Riza Bajrami, avokati Xhafer Tahiri.
‘I mbrojturi im ka qëlluar që të jetë dëshmitar i një vepre penale tjetër, ku është kryer afër lokalit të tij, i ka dhënë ndihmë të plagosurit siç përshkruhet në aktakuzë, ka ndihmuar drejtësinë duke qenë dëshmitar në atë rast, biznesi i tij është sulmuar dy herë, prandaj është detyrë e drejtësisë të ofrojë mbrojtje’, deklaroi mbrojtësi Tahiri.
Ndërsa të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve në fjalën hyrëse të tyre kundërshtuan aktakuzën, duke theksuar se nuk ka asnjë prove, as direkte e as rrethanore të cilat dëshmojnë që të akuzuarit kanë kryer veprat penale që ju vihen në barrë. .
Mbrojtësi Ahmet Cakaj, në vazhdim të seancës propozi që si dëshmitar në këtë proces gjyqësor të dëgjohet edhe Vedat Hasani, si dhe që i akuzuari Arianit Pllana të dëgjohet edhe në cilësi të dëshmitarit.
Edhe pse të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm në fillim të seancës, në fjalën hyrëse, i akuzuari Fidan Cakolli deklaroi se zjarrëvënien e ka kryer ai, ndërsa veprime tjera nuk ka ndërmarrë, por në të njëjtën kohë theksoi se aktakuzën nuk e pranon.
Në sallë u krijua situate e tensionuar, pas deklarimit të njërit nga mbrojtësit e të akuzuarve dhe njërit nga të akuzuarit se nëse kish dashur do ta kishte vrarë të dëmtuarin Riza Bajrami, e në të cilën situate ndërhyri mbrojtësi i të dëmtuarit Bajrami, avokati Xhafer Tahiri, duke kërkuar nga kryetarja e trupit gjykues të ndërmerr masa, pasi që po flitet në gjykatë për jetën e të mbrojturit tim, duke i lejuar kërcënimet e tërthorta si dhe legjitimuar pretendimet në aktakuzë.
Në vazhdim të kësaj kryetarja e trupit gjykues Suzana Çerkini, mori vendim për përjashtimin e mbrojtësit Tahiri, për shkak të shkeljes së rendit të gjykatës. Ndërsa mbrojtësi Tahiri kërkoi që në procesverbal të përfshihet kërkesa për përjashtimin e kryetares së trupi gjykues, për njëanshmëri, duke lejuar kërcënimet e tërthorta ndaj të mbrojturit Riza Bajrami nga të akuzuarit tjerë, dhe se me përjashtimin e tij duke ja mohuar të drejtën e fjalës.
Për seancën e radhës gjyqtarja njoftoi se palët do të njoftohen në vazhdim.
Lundrim Beqiri, Bekë Salihaj, Adhurim Krasniqi, Valdrin Beqiri, Arianit Pllana, Kreshnik Kurti, Fidan Cakolli, Adnan Murtezi, Gentrit Ismajli, Diar Raçi dhe Egzon Cakolli, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal te organizuar” nga neni 277 par. 2 lidhur me par. 1 te KPRK-se lidhur me veprat penale, veprimet përgatitore për veprën penale “Vrasje e Rëndë”, nga neni 173 par. 1 nen par 1.8 lidhur me 1.13 të KPRK-së ; “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 par 3 lidhur me par. 1 te KPRK-se dhe veprën penale “Detyrimi” nga neni 328 par. 2
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti