|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohen dy ekspertë në rastin e keqpërdorimeve me kartela bankare

Ka vazhduar seanca e shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Driton Konushevci, Valton Isufi, Shkumbin Kadriu, Valdrin Gërbeshi, Burim Murati, Edmond Gashi, Artan Prebeza, Sadullah Behluli dhe Mimoza Beqiri, që nga fillimi i vitit 2005 me qëllim të arritjes së përfitimeve të drejtpërdrejta të dobisë pasurore, akuzohen nga Prokuroria Speciale se kanë formuar grupin kriminal të organizuar, që do të merrej me aktivitete kriminale e që do të bashkëvepronte me hakerët e panjohur deri më tani të sistemeve kompjuterike bankare të shteteve të ndryshme.

Ata akuzohen në bashkëkryerje edhe me dy të akuzuar në arrati Qëndrim Dobruna e Edon Bajrami.

Në këtë seancë, mungoi i akuzuari Artan Prebreza, dhe për mungesën e tij mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Arian Prebreza deklaroi se sot më datë 5 tetor i mbrojturi i tij gjendet në paraburgim në Shqipëri, konkretisht në Vlorë, për shkak se ndaj tij është duke u zhvilluar procedurë penale, gjë që i njëjti i propozoi trupit gjykues veçimin e procedurës dhe pas pajtimit nga palët tjera, procedura u veçua me aktvendim përkatës.

Në vazhdimin e seancës, u dëgjuan dy ekspertë të kartelave bankare, nga Raiffeisen Bank dhe Procredit Bank, të cilët deklaruan në pyetjet e prokurores speciale Merita Bina, trupit gjykues dhe mbrojtësve të të akuzuarve se nuk ka ndërhyrje në sistemet bankare të tyre, përkatësisht nuk ka dëme financiare ndaj bankave, por i vetmi dëm është dëmtimi i reputacionit me përdorimin e logos. Në lidhje me këtë në fund të seancës se a e konsiderojnë veten ende si palë të dëmtuara në këtë proces, me kërkesë të mbrojtësit Betim Shala, përfaqësuesi i Raiffiesen Bank deklaroi se meqenëse nuk ka asnjë gjurmë apo dëshmi që është e dëmtuar banka Raiffeisen, nuk e ndjejnë veten palë e dëmtuar, nuk do të parashtrojnë kërkesë pasurore juridike dhe i njëjti kërkoi nga gjykata që në seancat e radhës të mos ftohen. Ndërsa përfaqësesi i Procredit Bank theksoi se në lidhje me këtë çështje do të njoftojnë gjykatën me shkrim, pas konsultimit me akterët relevant të bankës.

Seanca e radhës u caktua të mbahet për datën 03 nëntor, nga 13:10, në të cilën do të dëgjohet eksperti i teknologjisë informative nga Policia e Kosovës, Blerim Krasniqi, si dhe provat tjera materiale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, thuhet se Driton Konushevci, Valton Isufi, Shkumbin Kadriu, Valdrin Gërbeshi, Burim Murati, Edmond Gashi, Artan Prebeza, Sadullah Behluli dhe Mimoza Beqiri, e në bashkëkryerje edhe me dy të akuzuar në arrati Qëndrim  Dobruna e Edon Bajrami me veprime kriminale të hyrjes në sistemet kompjuterike bankare, falsifikimit të kartelave bankare dhe tërheqjes së shumave të ndryshme të parave  në emër të personave të dëmtuar përmes agjensionit financiar “Western Union” që operon në Kosovë, kanë përfituar dobi pasurore-financiare  të drejtpërdrejtë në shumën e përgjithshme prej 198,454.10 euro.

Me këtë, sipas aktakuzës të akuzuarit e lartcekur po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Krim i organizuar”, nga neni 274 par 1, lidhur me 23 të KPPK-së lidhur me veprat penale “Hyrja në sistemet kompjuterike”, nga neni 264 par 2 të KPPK-së, “Lëshimi i ceceve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo kredit”, nga neni 248 par 3 të KPKK-së dhe “Pastrimi i parave”, nga neni 10.2 nën paragrafi a),b),d) dhe e) të Rregullores së ULMIK-ut nr.2004/2, Mbi pengimin e pastrimit të parave dhe veprave tjera penale.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter