Sot në Gjykatën Themelore Prishtinë në Departamentin Special, dështoi seanca gjyqësore kundër të akuzuarve: Bajram Hasani-ish Ministër i Tregtisë dhe Industrisë, Faton Thaçi-ish Zëvendës Ministër i kësaj Ministrie, Hajdin Berisha-Nënkryetar i Komunës së Malishevës, Bashkim Krasniqi-Drejtor i Gjeodezisë të Komunës së Malishevës, Nazmi Kafexholli-inspektor i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Ahmet Rrahmanaj, Ragip Begaj- ish Kryetar i Komunës së Malishevës, Malë Krasniqi shef i shërbimeve të Gjeodezisë në Malishevë, ku secili prej tyre është i akuzuar për vepra të ndryshme penale si: Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, Shpërlarje të parave dhe Mashtrim.
Kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili konstatoi se nuk ka kushte për tu mbajtur seanca gjyqësore pasi që dy të akuzuarit Ragip Begaj dhe Malë Krasniqi nuk ishin të pranishëm në seancë për arsye personale.
Mbrojtësi i Ragip Begaj gjatë seancës deklaroi për gjykatën se ai mbrëmë përmes Hajdin Berishës është njoftuar se Ragip Begaj është jashtë Kosovës për arsye personale. Kurse për të akuzuarin Malë Krasniqi gjykata përmes email është njoftuar se nga arsyet personale nuk mund të marrë pjesë në seancë.
Kryetari i trupit gjykues kërkoi nga mbrojtësit e dy të akuzuarve të lartcekur që në seancën e radhës të akuzuarit të paraqesin dëshmi për të arsyetuar mungesën e tyre në këtë seancë.
Gjyqtari Ismaili caktoi seancën e radhës me datë 29 nëntor 2023 nga ora 09:30.
Ndryshe në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës Ragip Begaj akuzohet se duke qenë si Kryetar i Komunës së Malishevës bashkë me ish Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Bajram Hasani dhe Faton Thaçi zëvendësministrin e MTI-së kanë shfrytëzuar poztiën e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore ashtu që kanë mundësuar shpronësimin në zona të ndryshme kadastrale si në Bellanicë, Banjë dhe Senik kështu duke e shpallur zonë me interes të veçantë.
Në aktakuzë për të akuzuarin Bashkim Krasniqi thuhet se duke qenë si Drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrit në Komunën e Malishevës, Hajdin Berisha si Nënkryetar i Komunës së Malishevës, Malë Krasniqi si shef i shërbimeve të Gjeodezisë dhe Faton Thaçi si Zëvendësministër i MTI-së akuzohen se të gjithë të lartcekurit në bashkëkryerje nga 22 maj 2018 deri me 5 qershor 2018 kanë shfrytëzuar autoritetin e tyre zyrtar ashtu që kanë tejkaluar kompetencat tyre duke e bërë të mundur shpalljen e zonës me interes të veçantë në mënyrë që të themelohet zonë ekonomike në Komunën e Malishevës në zonat kadastrale të lartcekura.
Ndërsa për të akuzuarin Nazmi Kafexholli ai akuzohet pasi që duke qenë si inspektorë në Agjencinë e Pyjore të Kosovës duke e ditur se do të krijohet një zonë ekonomike dhe me qëllim që t’ia shtojë vlerën tokës, ai kishte marrë pronën e M.H (tani i ndjerë), në të cilën kishte mbjellur pemishte për të cilën kishte fituar grante nga Ministria e Bujqësisë.
Kurse për të akuzuarin Malë Krasniqi thuhet se pasi që ishte vë në dijeni për themelimin e zonës ekonomike, kishte blerë parcela në zonat kadastrale Lladrovc dhe Banjë me çmim prej 25 euro për ari duke e ditur se këto prona Qeveria e Kosovës do t’i shpronësonte me çmim më të lartë.
Për të akuzuarin Ahmet Rrahmanaj në aktakuzë thuhet se ai ka privatizuar ‘’Newco Mirusha’’ e cila është si tokë bujqësore në zonat kadastrale Bellanicë, Banjë dhe Senik në Komunën e Malishevës me çmim të ulët në vlerë prej 1.222.333,00 euro për sipërfaqen e përgjithshme prej 1,157 hektarë dhe 51 ari për kohën prej 99 vite.
Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës./Drejtësia sot
Monitoroi Arta Hyseni