Gjykata Themelore në Pejë- Departamenti për Krime të Rënda ka vazhduar seancën e shqyrtimit gjyqësor ndaj zyrtarëve komunal të komunës së Deçanit, Ramë Melaj si Drejtor i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Halil Tolaj si Drejtor i Drejtorisë së Inspektoratit dhe Jashar Hulaj si Shef i Sektorit për Inspekcion që të tre të akuzuar për korrupsion.
Në këtë seancë është dëgjuar dëshmitarja A.Q, në cilësinë e zyrtares në drejtorinë e urbanizmit në komunën e Deçanit, e cila ndër të tjera ka deklaruar se kompetencat dhe detyrat e saj në drejtorinë e urbanizmit janë përpilimi i kushteve urbanistike konform ligjeve në fuqi dhe udhëzimeve administrative lëndëve që janë në kuvendin komunal siç është plani zhvillimor komunal dhe urban.
Kushtet ndërtimore lëshohen në përputhje me ligjin e ndërtimit. E njëjta ka deklaruar se ka qenë e ngarkuar me lëndën e J.H për subjektin ‘’Lika Trade’’ dhe se kushtet e ndërtimit i ka lëshuar sipas kërkesës së palës në përputhje me dokumentacionet përcjellëse dhe se çdo gjë është kryer sipas planit rregullues e gjithashtu edhe udhëzimi administrativ nr. 08/2017 i cili përcakton edhe numrin e parkingjeve për banues kati i bodrumit nuk i ka plotësu kushtet dhe është tentuar që të rritet numri i parkingjeve por prapë se prapë nuk ka mundur të bëhën dy borduma pasi që pala ka dal në terren për shqyrtim, gjatë ekzekutimit ka pas shëmbje të madhe dhe nuk ka qenë e mundur të ekzekutojë bodrumin me etazhitet 2B, projekti kryesor është i dorëzuar me 2B, ndërsa leja është lëshuar vetëm B.
Ajo në fund ka shtuar se, me aq sa është në dijeni projekti i ‘’Lika Trade’’ nuk është në kundërshtim me ‘’PRRU-Qendra’’ në Deçan, dhe se kushtet e ndërtimit kanë afat 1 vjeqar për ekzekutim por me mundësi vazhdimi sipas kërkesës së palës.
Më pastaj është vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit G.M, investitor i subjektit ‘’Lindi Residence’’, i cili ndër të tjera ka deklaruar se, me leje ndërtimore është pajisur nga Drejtoria e Urbanizmit në Deçan për ndërtimin e objektit shumëbanesor me etazhitet B+P+3K, është e vërtet se gjatë ndërtimit është tejkaluar etazhitetit sipas lejës së ndërtimit mirëpo ai etazhitet parashihet sipas Planit Rregullues Urban në Deçan, tejkalimi ka qenë me 3 etazhe shtesë dhe kati tërheqës (3K+KT). Tutje dëshmitari ka deklaruar se për këto etazhe shtesë ka bërë kërkesë për shtimin e këtyre etazheve mirëpo punimet kanë vazhduar.
Gjithashtu dëshmitari ka pohuar se gjatë inspektimit të objektit nga inspektori T.GJ ka pasur vërejtje me shkrim sa i përket objektit dhe etazheve që nuk janë në përputhje me lejen e ndërtimit. Tutje ka shtuar se, ka biseduar me të pandehurit Jashar dhe Halil për të bërë një zgjidhje dhe sipas të njejtëve gjatë asaj periudhe kohore ka qenë e mundur të vazhdohet me punime dhe ka qenë një vakum kohor që është shfrytëzuar dhe ato punime janë bazuar sipas PRRU-Deçan.
Dëshmitari në fund ka shtuar se, punimet janë ndalur ne vitin 2021 me urdhër të prokurorisë, gjithashtu edhe në vitin 2022 ka pas një vendim për rrënim.
Tutje është vazhduar me dëshminë e dëshmitarit T.GJ në cilësinë e inspektorit në Komunën e Deçanit, i cili ndër të tjera ka deklaruar se, ka qenë i angazhuar nga kryetari i komunës me kontratë mbi vepër çdo 6 muaj në vitin 2019, i njejti gjatë asaj periudhe ka qenë i vetmi inspektor i ndërtimit dhe se ka inspektuar edhe objektin ‘’Lindi Residence’’ me investitor G.M, inspektimi i parë i bërë në këtë objekt ka qenë me datë 02.11.2020, ku gjatë inspektimit i njejti ka vërejtur se ka pas tendenca për tejkalim të lejes dhe etazhitetit të lejuar, dhe se është kërkuar që të ndërpriten punime dhe të pajiset me leje shtesë sepse përndryshe do të rrënohet. Gjatë inspektimin në herën e dytë janë ndërprerë punime sepse ka pas tejkalim 1 katë e gjysëm.
Në fund dëshmitari ka deklaruar se, pas inspektimit në herën e dytë me procesverbal është kërkuar që punimet të ndërpriten rreptësisht, dhe se e ka përgatitur aktvendimin për rrënim por ndërkohë i është shkëputur kontrata mbi vepër pasi që kryetari ka nxjerr vendim për anulimin e të gjitha vendimeve dhe kontratave mbi vepër në atë kohë.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, me 18 korrik 2022, i pandehuri Ramë Melaj në objektin e Komunës së Deçanit, në cilësinë e drejtorit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, tejkalon kompetencat e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore/projektit nga BE-ja me shumë prej 170.000€ për organizatën ‘’Shtëpia Alpike’’, lëshon vendim për lejmin e ndërtimit të objektit të qendrës turistike në ‘’Bjeshkët e Belegut’’, me të cilën ia mundëson dhe lejon organizatës ndërtimin e objektit të qendrës turistike në ngastrën kadastrale Izniq, në pasuri shoqërore, pronë kjo nën administrimi të AKP-së, e cila shtrihet në zonën e parkut kombëtar, me të cilën menaxhon MMPHI-ja e për të cilën ngastër nuk mund të lëshohet asnjë lloj vendimi pa miratimin e Planit Hapësinor të zonës së veçantë për Parkun Nacional ‘’Bjeshkët e Nemuna’’.
Në dispozitivin e dytë i pandehuri Ramë Melaj po ashtu akuzohet se me datë 06.08.2020, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, tejkalon kompetencat e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore/projektit nga BE-ja me shumë prej 40.000€ për organizatën ‘’OJQ Kosovo Montain Club’’, në atë mënyrë që, lëshon vendim për leje mjedisore komunale për lejimin e zbatimit të projektit ‘’Zhvillimi i shtegut të ngritjes sportive-Via Ferata Deçan’’ si dhe ‘’Shtegu për ngritje në faqe shkëmbore në Grykën e Deçanit’’, nxjerr vendim për leje mjedisore komunale për ngastrat kadastrale me nr. 312/1 dhe 42/0 ZK. Isniq, me titullar P.SH OTHPB ‘’Kosovodervo Prishtinë OP Gjeravica’’, prona këto nën administrimin e AKP-së, me të cilën ia mundëson dhe lejon OJQ-së zbatimin e projektit të sipërshënuar në zonën e parkut kombëtar me të cilën zonë në bazë të ligjit menaxhon MMPHI-ja dhe për të cilën nuk mund të lëshohet asnjë lloj vendimi në mungesë të miratimit të planit hapësinor të zonës së veçantë për Parkun Nacional ‘’Bjeshkët e Nemuna’’.
I pandehuri Ramë Melaj po ashtu në dispozitivin e tretë të kësaj aktakuze akuzohet se me datë 29.12.2020 duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, tejkalon kompetencat e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore/grantit nga BE-ja me shumë prej 323.160€ për personin tjetër dhe atë B.A, në atë mënyrë që, lëshon pëlqim me nr. 04. Nr. 32848/2 për aplikim dhe ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+1, ndërtimin e 24 bujtinave dhe hapësirave për montimin e lojërave rekreative, kjo duke vepruar sipas kërkesës së parashtruar nga i lartcekuri dhe për ndërtim në ngastrën kadastrale me nr. 209/0 ZK. Isniq, pronë e të njejtit, me të cilën ia mundëson zbatimin e projektit të sipërshënuar në zonën e parkut kombëtar, me të cilën zonë në bazë të ligjit menaxhon MMPHI-ja dhe për të cilën nuk mund të lëshohet asnjë lloj vendimi në mungesë të planit hapësinor të zonës së veçantë për Parkun Nacional ‘’Bjeshkët e Nemuna’’.
Si dhe, në dispozitivin e katërt i pandehuri Ramë Melaj akuzohet se se me datë 05.06.2020 duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, tejkalon kompetencat e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe atë për subjektin ekonomik ‘’Lika Trade’’ SH.P.K, në shumën që tejkalon 5.000€, në atë mënyrë që, lëshon vendimin për ndërtim të objektit afaristo-banesor me etazhitet B+P+6 dhe B+P+7, duke qenë në dijeni për kushtet e përcaktuara për ndërtim nga PRRU-ja dhe për marrëveshjen paraprake të dt. 15.11.2011 e lidhur në mes të Komunës së Deçanit dhe investitorit ‘’Gogaj AG’’, si dhe duke qenë nënshkrues i aktvendimit me nr. 04. Nr. 167/1 të dt. 28.01.2013, si dhe kushteve të lokacionit me nr. 04. Nr. 4902/11 të dt. 06.11.2012, për ngastrën kadastrale nr. 1073/1, PSH. e Komunës së Deçanit, me përfitues subjektin ekonomik ‘’Gogaj AG’’, edhe përkundër kësaj i njejti lëshon vendimin për leje ndërtimore me nr. 04. Nr. 9669/2 të datës 05.06.2020, me përfitues subjektin ekonomik ‘’Lika Trade’’, të cilit ia mundëson ndërtimin e objektit afarist-banesor në ngastrën e njëjtë, e me vlerë investive prej 24.134.17€,
me çka ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së.
Ndërsa sa i përket të akuzuarve Jashar dhe Halil, me datë 11.02.2019 e në vazhdimësi deri më sot, duke vepruar në bashkëkryerje nuk i përmbushin detyrat zyrtare, në atë mënyrë që, i pandehuri Halil si drejtor i Drejtorisë së Inspektoratit, K. Deçan, ndërsa i pandehuri Jashar si Shef i Sektorit për Inspekcion pranë kësaj drejtorie, duke vepruar në kundërshim me Ligjin për Ndërtim, Udhëzimit Administrativ si dhe Ligjit për Inspektorat, nuk ndermarrin veprimet e nevojshme për të zbatuar inspektimin sipas autorizimeve dhe obligimeve të tyre ligjore, mundësojnë ndërtimin e tre kateve (3K) shtesë dhe katit tërheqës (KT) në objektin afarist-banesor “Lindi Residence”, që sipas lejes ndertimore me numer 04.nr. 2491/2 e datës 11.02.2019, i lejohej ndertimi me etazhitet B+ +3K, perkunder që kanë qenë në dijeni për këtë fakt sipas inspektimit të dt. 05.03.2021 dhe inspektimit të fundit në bashkëpunim me organet kompetente të dt. 11.06.2021, ku edhe janë vene shiritat për mbyllje të vend-punimit, të konstatuara si punime ndertimore të kundërligjshme, e që të njejtit sipas detyrës zyrtare kanë qenë të obliguar të marrin vendim për rrënim, mirëpo nuk veprojnë në këtë drejtim, duke mundësuar që investitori të vazhdojë me punime ndërtimore të kundërligishme, duke përfunduar objektin afarist- banesor, duke i mundësuar përfitim përmes rritjes së siperfaqes rreth 2500m2,
me çka në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqperdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par. 2 lidhur me par. 1, nenin 31 dhe 77 të KPRK-se.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës..DrejtësiaSot
Monitoruar nga Elvana Hatashi