Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar dhe sot seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e gjykimit për korrupsion dhe krim të organizuar ndaj ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit Dragan Jabllanoviq dhe të tjerëve.
Në seancën e sotme janë dëgjuar dy dëshmitar të radhës të propozuar nga prokurorja speciale Merita Bina-Rugova, dëshmitari Radojko Joviç dhe Milomir Vasoviç.
Në pyetjet e prokurores Bina-Rugova, dëshmitari Joviç deklaroi se ka qenë pjesë e komisionit për vlerësimin e ofertave bashkë me të akuzuarit Alaksandar Kostiq dhe Mirosllav Ivanoviq dhe se fitues i tenderit ka qenë firma ‘Projektuesi Sh.p.k’, të cilën e kanë përzgjedhur duke u bazuar në ofertën e tyre më të lirë.
Se si kanë shqyrtuar dokumentacionin e kompanisë përkatëse pasiqë ka qenë vetëm në gjuhën shqipe dhe se i njëjti nuk e kupton gjuhën shqipe, dëshmitari Joviç theksoi se një pjesë të përgjithshme të projektit e kanë pasur të perkthyer, ndërsa pjesën tjetër e kanë vlerësuar në bazë të numrave.
Ndërsa në marrjen në pyetje nga mbrojtësi i të akuzuarit Bojan Banoviq, avokatit Arianit Koci, dëshmitari Joviç deklaroi se në atë kohë kanë punuar për sistemin e Serbisë, gjë që mbrojtësi Koci theksoi se disa dëshmitar kanë punuar për Listën Serbe dhe kanë pasur qëllim t’i i akuzojnë të akuzuarit vetëm pse kanë punuar për sistemin e Republikës së Kosovës.
Ndërsa në vazhdim të seancës mbrojtësi Ramë Gashi deklaroi një vërejtje të përgjithshme lidhur me atë se Komuna e Leposaviqit nuk ka paguar asnjë cent për projektet sipas aktakuzës, por janë të paguara nga Qeveria e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare.
Në dëshminë e dëshmitarit tjetër Milomir Vasoviç, u konstatua pjesëmarrja e tij në komisionin për vlerësimin e ofertave për objekte ndërtimore dhe atij për rrugë lokale, njëkohësisht se dokumentacioni i kompanisë fituese ka qenë vetëm në gjuhën shqipe.
Dëshmitari Vasoviç deklaroi në pyetjet e prokurores Bina-Rugova se ka punuar për sistemin e Serbisë, por është paguar edhe nga sistemi i Republikës së Kosovës deri kur ka ardhur ndërrimi i pushtetit në vitin 2019.
Edhe nga mbrojtja të njëjtit ju parashtruan pyetje lidhur me angazhimin e tij në dy sistemet dhe kriteret për vlerësimin e ofertave në komisionet përkatëse.
Seanca e radhës u caktuan të mbahen më 09 nëntor , 27 nëntor, 13 dhjetor, 14 dhjetor, të gjitha nga ora 09:30, në të cilat do dëgjohen dëshmitarët e radhë dhe do të bëhet administrimi i provave në këtë çështje.
Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.
Sipas aktakuzës, të njëjtit kanë vepruar në formën, duke ndarë fonde nga buxheti i Komunës për kompanitë përfituese në tendere për kryerjen e projekteve të ndryshme, e të cilat nuk janë kryer sipas duhet, meqë rast kompanitë përkatëse kanë përfituar dobi pasurore, duke dëmtuar buxhetin publik. Njëkohësisht zyrtarët komunal, në cilësinë e anëtarëve të komisionit kanë bërë pranimin teknik të punimeve të cilat nuk kanë qenë të përfunduara fare, apo se nuk janë përfunduar sipas planit dinamik.
I pandehuri Dragan Jabllanoviq po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal” të organizuar nga neni 283, par. 2 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.
Të pandehurit Haxhi Bejta, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Cedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.
Ndërsa, të pandehurit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.5 të KPRK.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës./DrejtsiaSot
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti