|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Mbahet shqyrtimi gjyqësor në rastin ‘’Toka’’ II

Sot në Gjykatën Themelore Prishtinë në Departamentin Special vazhdoi gjykimi për rastin ‘’Toka’’II, ku të akuzuar janë Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni.

Ata akuzohen për Krim të organizuar, Nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore, Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar,Falsifikim i dokumentit zyrtar, Shpërlarja e parave.

Kryetari i trupit gjykues gjyqtari Vesel Ismajli konstatoi se të pranishëm në sallë ishin prokurorja e rastit Merita Bina, të akuzuarit, dhe dëshmitarët I.K, N.H dhe S.S.

Trupi gjykues njoftoi palët lidhur me  kërkesat e parashtruara nga mbrojtësi i Mehmet Prishtinës dhe Nexharije Hotit për parashkrimin e veprave penale për të cilat janë akuzuar si dhe se nuk kemi të bëjmë se parashkrimin e ndjekjes penale për veprat penale për të cilat akuzohen Mehmet Prishtina dhe Nexharije Hoti, kjo pasi që duke analizuar shkresat e lëndës dhe Kodin Penal të Kosovës dhe duke marrë për bazë Mendimin Juridik të Gjykatës Supreme të datës 30 maj 2019 gjykata ka gjetur se nuk kemi të bëjmë me parashkrim të ndjekjes penale për veprat penale për të cilat akuzohen.

Pasi që në rastin konkret  krimi i organizuar nga pika II dispozitivit të Mendimit Juridik të Gjykatës Supreme shprehimisht përcaktohet që afati i parashkrimit duhet të llogaritet sipas dënimit më të lartë përcaktuar për atë vepër penale, ashtu që në rastin kur vepër penale bazë afati i  parashkrimit të ndjekjes penale është më i shkurtër se te vepra penale krimi i organizuar afati i parashkrimit duhet të llogaritet sipas dënimit më të rëndë e në këtë rast vepra penale është krim i organizuar.

Gjithashtu lidhur me kërkesën të të akuzuarit Mehmet Prishtina për kthimin e dorëzanisë së detyruar në gjykatë, gjykata ka konstatuar se nuk ka pushuar gjendja e shfaqur për të cilën është caktuar kjo masë, kështu që refuzohet kjo kërkesë deri në përfundim të shqyrtimeve gjyqësore.  Dëshmitari I.K deklaroi se tokën që është objekt i aktakuzës e ka blerë nga Mirsad Jetullahu ky i fundit ka qenë i autorizuar nga pronari i tokës për shitje të parcelës në fjalë.

Dëshmitari deklaroi se  kontratën e shitblerjes të noterizuar  e kemi bërë tek noteri Isak Ademi dhe me sa më kujtohet pagesën e kam bërë në xhirollogari të Mirsad Jetullahu. Pas përfundimit të kontratës dhe pagesës kam aplikuar në Komunë fletë poseduese dhe pas disa ditësh e kam marrë fletën poseduese në emrin tim.

Prokurorja e rastit pyeti dëshmitarin se kur e ke kuptuar që parcela në fjalë ka probleme kurse I.K deklaroi se ai dhe familja e tij kishin pasur në plan të ndërtojnë shtëpi mirëpo kur ka biseduar me Mirsadin ai ka thënë se ende është herët deri sa të kompletohet dokumentacioni poashtu jam interesuar për ndërtim  edhe në urbanizëm dhe të njëjtit më kanë thënë se ende nuk është detalizuar plani. Pas disa muajve e kam qit tokën në shitje dhe në vitin 2014 ia kam shit tokën Fatosit dhe kemi nënshkruar kontratën e noterizuar dhe kemi përfunduar pagesat. Kur ka shkuar Fatosi të aplikoj për fletë poseduese në emër të tij, ai aty është informuar se ka një problem lidhur me parcelën që ai e ka blerë. 

Në këtë seancë dha dëshminë edhe dëshmitari tjetër N.H i cili deklaroi se tokën e ka blerë nga Mirsad Jetullahu i cili ka qenë i autorizuar për shitje nga pronari i tokës. Ai deklaroi se ata kishin nënshkruar kontratën e shitblerjes tek noteri Isak Ademi dhe se pagesa ishte bërë në xhirollogarinë e Mirsadit. Gjatë kësaj seance dha dëshminë edhe dëshmitari i tretë S.S i cili deklaroi se tokën e ka blerë nga Mirsad, mbiemri i të cilit nuk i kujtohet. Dëshmitari deklaroi se atij i janë prezentuar të gjitha dokumentet në rregull lidhur me shitblerjen e parcelës, për të cilën më pas kanë nënshkruar kontratën e shitblerjes dhe pagesa ishte bërë përmes bankës, mirëpo nuk e di saktë a është bërë pagesa në xhirollogarinë e Mirsadit apo tjetër kujt. Trupi gjykues pyeti dëshmitarin për pronarin e mëhershëm, ku me këtë rast dëshmitari deklaroi se nuk e di se kush ka qenë pronar i mëhershëm i asaj parcele.

Shqyrtimi gjyqësor i këtij rasti vazhdon në seancën e datës 20 tetor 2023.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë./Drejtësia Sot

Monitoruar nga Arta Hyseni

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter