|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Pas tre dështimeve, mbahet gjykimi ndaj të akuzuarit për Ushtrim të ndikimit

Është mbajtur gjykimi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj të akuzuarit Dugagjin Emarllahu, i cili po akuzohet për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Ushtrim i ndikimit”.

Në këtë seancë është dëgjuar dëshmitarja V.S, të cilës ju parashtruan pyetje nga prokurorja Dulina Hamiti, nga mbrojtësi i të pandehurit Dugagjin Emarllahu, Av. Fitim Maloku si dhe nga kryetari i trupit gjykues Ngadhnjim Arrni.

Në deklarimin e saj, dëshmitarja theksoi se ka qenë në njohuri se telefoni i saj ka qenë nën masa të fshehta të vëzhgimit dhe se këtë e ka kuptuar pasi që është ftuar nga Policia për intervistim.

Tutje, në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, ajo deklaroj se nuk e ndjen vetën të dëmtuar në këtë rast.

Për këtë seancë ishte e planifikuar që të dëgjohet edhe dëshmitari F.K, mirëpo i njëjti përmes një parashtrese, ka njoftuar gjykatën se i njëjti gjendet jashtë vendit dhe nuk mund të jetë i pranishëm në këtë seancë.

Kryetari i trupit gjykues, në mungesë të kushteve për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor, këtë seancë e shtyu për në kohë të pacaktuar.

Ndryshe sipas aktakuzës, i akuzuari Dugagjin Emarllahu, akuzohet se në janar të vitit 2014 ka ushtruar ndikim tek zyrtarët policor F.K dhe Rr.M, të Stacionit Policor në Gllogovc.

I njëjti i është prezantuar zyrtarëve policor si një biznesmen, duke i premtuar se do t’iu gjendet për t’iu ndihmuar në kryerjen e ndonjë pune apo do t’iu ndihmojë duke i punësuar ndonjë familjar apo do t’ia dërgon në shtetet perëndimore djalin e zyrtarit policor Rr.M.

Në këtë mënyrë që ka ndikuar tek të njëjtit për ta vendosur nën masat e fshehta numrin e telefonit i cili ka qenë në posedim të bashkëshortes së tij.

Me këtë i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.

I akuzuari Emarllahu, po ashtu akuzohet se gjatë kontrollës nga ana e policisë në banesën e tij i është gjetur dhe i është konfiskuar edhe një revole së bashku me një karikator dhe 14 fishek.

Me këtë kishte kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Kujtojmë se i akuzuari Emarllahu, lidhur me veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, i njëjti e ka pranuar fajësinë, ndërsa gjykimi po vazhdon vetëm sa i përket veprës penale “Ushtrimi i ndikimit”.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë./Drejtësia Sot

Monitoruar nga Rinor Bajrami

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter