Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, janë dëgjuar dëshmitarët A.H, A.H, N.I dhe SH.M, në rastin ku Naim Shasivari dhe Nexhmije Krasniqi në cilësinë e zyrtarëve të Arkivit Komunal në Prishtinë, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Në dëgjimin e dëshmitarit të parë, prokurorja e rastit Arbëresha Shala kërkoi nga dëshmitari Arben Hasi që të deklarohet lidhur me ngastrën kadastrale 1394/1, zona kadastrale Cagllavicë, pronë e ndërmarrjes bujqësore “Ratar” të Llapllasellës, i cili theksoi se drejtoritë kadastrale të komunave përkatëse para se të bëhen ndryshimet në regjistrin e paluajtshmërive për pronat e ndërmarrjeve shoqërore kërkonin nga AKP-ja, përkatësisht ish-AKM-ja pëlqimin për ndryshimet në regjistrin kadastral dhe se AKP-ja duke vepruar sipas kërkesës së Drejtorisë së Kadastrit ka lëshuar një letër ku ka njoftuar që kjo përgjegjësi është e tyre dhe jo e AKP-së.
Ndërsa në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Naim Shasivari, avokatit Asdren Hoxha lidhur me me atë se kur e ka marrë AKP-ja nën administrim ngastrën kadastrale në fjalë, dëshmitari Hasi deklaroi se ndërmarrja shoqërore ‘Ratar’ ka mijëra parcela kadastrale e paluajtshmëri dhe prej momentit kur është themeluar Agjencia Kosovare e Mirëbesimit në 2002, ‘Ratari’-i ka qenë nën administrim të agjencisë, rrjedhimisht parcela në fjalë.
Në vazhdim të seancës dëshmoi dëshmitarja N.I, e cila me pozitë në Arkivin Komunal në atë kohë ishte shefe e rregullimit dhe në dëshminë e saj deklaroi lidhur me rregullimin e dokumentit ‘Marrëveshja e arondimit’ me numër 44/63 të datës 24 janar 1964 se përgjegjësia ka qenë e koleges F.B.
Se a ka qenë marrëveshja e arondimit në kutitë e dorëzuara tek F.B, e njëjta deklaroi se nuk ka pasur njohuri, por besoj se ka qenë.
Lidhur me procedurën e lëshimit të njoftimit për dokumentin me numër 44/63, dëshmitarja e radhës A.H theksoi se ka ardhur pala për të bërë kërkesën në zyrën time në administratë, pastaj kërkesa ka vazhduar tek shefi i depos, që në atë kohë ka qenë Naim Shasivari, e cila shqyrtohet nga i njëjti dhe pastaj fotokopjet dhe kthehet në administratë, thirret pala dhe dorëzohet dokumentacioni, ku pala nënshkruan për pranim të dokumentit.
Ndërsa dëshmitari i fundit për këtë seancë gjyqësore Sh.M, deklaroi se mbetet pranë deklaratës së dhënë në shkurt të vitit 2017.
Seanca e radhës u caktua të mbahet për datën 24 nëntor 2023, nga ora 13:15.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore, të ngritur më 3 maj 2017, Naim Shasivari, akuzohet se deri më 7 dhjetor 2016, si person zyrtar në Arkivin Komunal të Prishtinës, në pozitën e shefit të sektorit të depos, nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare, ku gjatë pranimit nuk ka kontrolluar lëndët arkivore në dosjet e lëndëve, të cilat kanë qenë në depon e këtij arkivi, ashtu që kishte pranuar dokumentin e falsifikuar “Marrëveshja e Arondimit”, e 24 janarit 1964, pa u përfillur procedurat, pa procesverbal për pranimin e lëndëve në depo të këtij arkivi.
Në aktin akuzues thuhet se i pandehuri Shasivari, si shef i depos, një kopje të kësaj marrëveshje ia ka dorëzuar palës, tani të ndjerit M.J., i cili me këtë dokument të falsifikuar ka bërë bartjen e kësaj prone në emër të tij, e që në fakt këto ngastra janë pronë e ndërmarrjes bujqësore “Ratar” të Llapllasellës.
Ndërsa, Nexhmije Krasniqi, sipas aktakuzës, akuzohet se në pozitën e ndihmës-arkivistes si dhe duke ushtruar pozitën e shefit të depos, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, në atë mënyrë që më 9 janar 2015, në kërkesën e Zyrës Katastrale të Komunës së Prishtinës për verifikimin e vendimit të lëshuar nga KK-Prishtinë nr.44/63, të 24 janarit 1964, e kishte kthyer përgjigjen me shkrim se lënda me numër 44/63 nuk gjendet në dosjen e Arkivit Ndërkomunal të Prishtinës edhe pse pas kontrollit nga ana e Policisë, më vonë është gjetur dhe sekuestruar lënda origjinale.
Sipas aktakuzës, Krasniqi më 29 shtator 2014, të njëjtin dokument, “Marrëveshjen e Arondimit”, nr. 44/63, ia kishte gjetur dhe ofruar palës Stojaniviq Vanka, ashtu që mbi këtë bazë ka mundësuar që të bëhet bartja e ngastrave të lartcekura në emër të tani të ndjerit, M.J.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti