|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj pronarit të kompanisë “Sallahu” dhe auditorit të MI-së

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, Begzat Musliu, i akuzuar për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe të ish-drejtorit të kompanisë “Sallahu” Sh.P.K, Naim Sallahu, për shkak të veprës penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”.

Seanca e shqyrtimit gjyqësor dështoi në mungesë të dëshmitares Valmira Bllaca, e cila ishte planifikuar të dëgjohej si dëshmitare në pozitën e Udhëheqëses së divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, të cilën e mbante në kohën për të cilën dyshohet kryerja e veprave penale si në aktakuzë.

Lidhur me mungesën e dëshmitares Bllaca, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Avni Syla tha se të njëjtën gjykata e kishte ftuar me ftesë të rregullt në një adresë të cilën i ishte dërguar edhe më herët, mirëpo nga shërbimi dorëzues postar në fletkthesë ishte konstatuar pala e panjohur në këtë adresë.

Ndërsa prokurori Bashkim Zeqaj, lidhur me mungesën e dëshmitares Bllaca, tha se mbetet pranë propozimit për dëgjimin e të njëjtës pasi që ishte shumë me rëndësi dëgjimi i saj në këtë çështje penale.

Ndërsa seanca e sotme u shtye për datën më 4 dhjetor 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës, i akuzuari Begzat Musliu, në cilësinë e personit zyrtar, si Drejtor i Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, i ka tejkaluar kompetencat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me ligjin për Auditimin e Brendshëm të Financave Publike, përkatësisht nenin 25 par. 3.3 miratimin nga udhëheqësi i subjektit të sektorit publik, ministri apo sekretari i përgjithshëm; ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit publik me titull” Ndërtimin e urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Pejë-Kuqishtë me lokacion Drelaj”, ku i pandehuri ka vepruar vetëm me kerkesë të Operatorit Ekonomik ” Sallahu” Sh.P.K, që është e ndaluar me ligj, po ashtu i pandehuri jashtë procedurave ligjore të auditimit të brendshëm, ka përpiluar raportin e auditimit në favor të Operatorit Ekonomik ” Sallahu” Sh.P.K, me qëllim të krijimit të dobisë për atë kompani, pa i vërtetuar provat në lëndën e iniciuar kundër këtij operatori, përkundër asaj që nuk ka pasur autorizim, të cilin raport jashtë procedurave e ka dërguar përmes arkivës në OSHP, të njëjtit i ka dërguar Operatorit Ekonomik; ku i pandehuri përmes dërgimit të raportit të tij në OSHP, ka ndikuar që ky organ raportin e tij ta konsideroj si provë relevante duke theksuar se ja falë besimin këtij raporti dhe si rezultat i kësaj, kërkesa Drejtoreshës së Prokurimit është refuzuar nga OSHP, që OE “Sallahu” Sh.P.L të futet në listën e zezë të OSHP-së.

Me këtë i pandehuri Begzat Musliu, akuzohet se ka kryer veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë, nga neni 414 par. 1 i KPRK-së.

Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, i akuzuari Naim Sallahu, akuzohet se me vetëdije shkel rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokumentacion të rremë, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues në procedurën e prokurimit publik, në atë mënyrë që në pozitën e pronarit të kompanisë ” Sallahu” Sh.P.L, ka ofertuar me dokumentacion të falsifikuar në Aktivitetin e Prokurimit, në të cilën lëndë ka prezantuar referencën për gjeodetin F.SH, se i njëjti kinse kishte punuar në projektin ” Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Balincë” dhe në projektin” Zgjwrimi i rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës (Veternik), por në projektet në fjalë nuk ka qenë i angazhuar gjeodeti F.SH.

Me këtë i pandehuri Naim Sallahu, akuzohet se ka kryer veprën penale: Keqpërdorim dhe Mashtrim në Prokurim Publik, nga neni 415 par. 1 të KPRK-së.

Kujtojmë se në këtë aktakuzë, i akuzuar ka qenë edhe Fadil Shehu, i akuzuar se në cilësin e dëshmitarët ka dhënë deklaratë të rremë në betim, mirëpo ndaj të njëjtit është vecuar procedura pasi që është arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë e Shtetit dhe se ndaj tij është shpallur aktgjykim fajësues.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter