|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Filloi rigjykimi në rastin ‘’Veteranët’’

Sot në Gjykatën Themelore Prishtinë në Departamentin për Krime të Rënda filloi rigjykimi në rastin e njohur si ‘’Veteranët’’. Të akuzuar nga Prokuroria Speciale në këtë rast janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari. Ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Kryetari i trupit gjykues Gazmend Bahtiri konstatoi se të pranishëm në sallë ishin prokurori special Valdet Gashi dhe të akuzuarit me mbrojtësit e tyre.

Gjyqtari Gazmend Bahtiri konstatoi se plotësohen kushtet ligjore për të filluar shqyrtimi gjyqësor i cili është rigjykim i këtij rasti.

Gjyqtari Bahtiri  pyeti të gjithë të akuzuarit se si deklarohen rreth fajësisë për këtë vepër penale.

Të gjithë të akuzuarit u deklaruan se ndihen të pafajshëm për këtë vepër penale që akuzohen kurse Kryetari i trupit gjykues ia dha mundësinë e fjalës hyrëse të gjitha palëve.

Prokurori i rastit paraqiti fjalën hyrëse me shkrim gjykatës dhe të akuzuarve dhe të njëjtën e elaboroi verbalisht. Prokurori deklaroi se qëndron pranë fjalës hyrëse të dhënë në gjykimin e parë të këtij rasti si dhe deklaroi se gjatë procesit të njohjes dhe verfikimit të statusit veteranë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bashkryerje kanë shfrytëzuhar pozitën apo autoritetin zyrtar dhe nuk kanë përmbush detyrat e tyre zyrtare që sipas ligjit kanë qenë të obliguar.

Si pasojë i kanë shkatuar dëm buxhetit të  Republikës së Kosovës në shkallë të madhe. Në këtë mënyrë ata në bashkëkryerje kanë keqpërdor pozitën apo autoritetin zyrtar sipas nenit 422 par.1 lidhur me nenin  31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Me provat materiale mund të vërtetohet se me aplikacionet e aplikueshme mbi bazën e të cilave mund të shihen se të njejtit nuk i plotësojnë kushtet e caktuara me ligj dhe njohin  statusin e veteranit të luftëtariit të UÇK-së. Prokurori deklaroi se të akuzuarit duke qenë si anëtarë të komisonit për verfikimin dhe njohjen e statusit të veteranit të luftëtarit të UÇK-së ia kanë njohur statusin 19.500 aplikantëve në mënyrë të kundërligjshme ashtu që duke mos i respektuar kriteret ligjore për njohjen e tyre.

Mbrojtësit e të gjithë të akuzuarve paraqitën fjalën hyrëse dhe të gjithë deklaruan se Prokuroria Speciale nuk ka asnjë provë me të cilën do të mund të vërtetohej fajësia e të akuzuarve, kështu që ata theksuan se në fund të këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet se ata nuk kanë kryer veprën penale me të cilën akuzohen.

Avokati Tahir Rrecaj si mbrojtës i të akuzuarit Nuredin Lushtaku deklaroi se qëndron pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin gjyqësor në gjykimin e parë të këtij rasti. Avokati Rrecaj deklaroi se Nuredin Lushtaku nuk ka qenë i emëruar si anëtarë i komisionit sipas vendimit por ka qenë vetëm zëvendësim i Sami Lushtakut si dhe theksoi se  Nuredin Lushtaku pjesëmarrja e të cilit në këtë mbledhje  mund të vërtetohet përmes procesverbaleve të komisionit, mund të shihet se prej 29 mbledhjeve të mbajtura nga komisioni ai ka marrë pjesë vetëm në njërën prej tyre. 

Ai shtoi se edhe Gjykata e Apelit me vendimin e saj ka kërkuar që të sigurohen vendimet  nëse Nuredin Lushtaku ka qenë i emëruar si anëtar i komisionit qeveritar qoftë me vendimin për themelim të komisionit, qoftë me vendimin për ndryshim dhe plotësimin e vendimit, dhe poashtu ka kërkuar që të vlerësohet se nëse Sami Lushtaku ka pasur autorizim që ta delegoj Nuredin Lushtakun të marrë pjesë në mbledhje.

I njejti deklaroi se prokuroria nuk ka asnjë provë të vetme që vërteton ekzistimin e dyshimit të bazuar se zotëri Lushtaku ka kryer veprën me të cilën akuzohet.

Avokati i të akuzuarit Qelë Gashi deklaroi se në këtë shqyrtim gjyqësor gjatë administrimit të provave mbrojtja do të vërtetojë se i mbrojturi im nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet si dhe do të vërtetohet se sigurimi i provave mbi bazën e të cilave u ngrit akuza u bë me një varg shkeljesh ligjore, që ato e bëjnë të kundërligjshme dhe trupi gjykues duhet ti konsideroj si prova të papranueshme.

Avokati Artan Qerkini deklaroi se dispopzitivi i aktakuzës është problematik për faktin aty kemi pretendimin e prokurorisë se vepra penale e keqpërdorimit të detyrës zyrtare është kryer nga data 28.10.2011 deri me datë 31.01.2017 atëherë nga ky konstruksion po e vërejmë se prokuroria pretendon se kemi të bëjmë me veprën penale në vazhdim,  atëherë nëse kemi të bëjmë me konstruksionin juridik të veprës penale në vazhdim po i bie se të akuzuarit çdo mbledhje kanë kryer vepër penale, e që kjo nuk është e vërtetë. Prej kohës të kryerjes të pretenduar fillon të rrjedh afati i parashkrimit dhe prej kësaj kohe duhet të dihet se cili Kod Penal e cili Kod i Procedurës Penale.

Kryetari i trupit gjykues caktoi seancat e radhës me datë 20 dhe 21 dhjetor nga ora 09:00 ku do të dëgjohen dëshmitarët të cilët janë të caktuar në aktakuzë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, me 16 prill 2021, kishte shpallur aktgjykim lirues në rastin “Veteranët”, por, Gjykata e Apelit –

Departamenti Special, më 21 mars 2022, kishte aprovuar si të bazuar ankesën e PSRK-së ndërsa kishte anuluar aktgjykimin e themelores, duke vendosur që lënda të kthehet në rigjykim dhe vendosje.

Pas kthimit në rigjykim të kësaj lënde, Departamenti i Krimeve të Rënda në Prishtinë, me aktvendimin e datës 24 maj 2022, ishte shpallur jo kompetent në pikëpamje lëndore për të vendosur për rastin e njohur si “Veteranët”, me arsyetimin se për të vendosur për këtë çështje penale kompetencë lëndore ka Departamenti Special, të cilin pretendim e ka mbështetur në Ligjin për Gjykata.

Pas kësaj, Departamenti Special me 25 korrik 2022, kishte iniciuar konflikt të kompetencë duke iu drejtuar Gjykatës së Apelit- Departamentit Special, për të vendosur lidhur me kompetencën lëndore për rastin “Veteranët”.

Pas kësaj, Gjykata e Apelit – Departamenti Special me parashtresën e datës 27 korrik 2022 ka konstatuar se lidhur me konflikti për kompetencë lëndore kjo çështje duhet t’i dërgohet

Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, me arsyetimin se këtu nuk kemi të bëjmë me kompetencë territoriale por me caktimin e lëndëve brenda gjykatës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, PPS.nr. 12/2018 të datës 13 shtator 2018, e përmirësuar më datë 7 dhjetor 2018, Agim Çeku së bashku me Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Çelë Gashi, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku, akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Të njëjtit në cilësinë e anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë bërë njohjen e statusit të Veteranit Luftëtar, personave të cilët nuk i kanë takuar kësaj kategorie.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Arta Hyseni

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter