Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nën trupin gjykues të përbërë nga Valon Totaj – Kryetar, Musa konxheli – anëtar dhe Valbona Musliu – anëtare, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar në rastin ndaj Sami Lushtakut, Sheremet Jashari, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Fatmir Mjaku e Bajram Dibrani, ku të njëjtit po akuzohen për krim të organizuar dhe pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale.
Kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj në fillim të seancës deklaroi se gjykata nuk e posedon dokumentacionin lidhur me dokumentet shëndetësore që sipas mbrojtjes i përkasin sistemit paralel serb dhe se duhet të shpallen të papranueshme si prova, duke kërkuar nga prokurorja që gjykata të pajiset me to, njëkohësisht edhe me urdhrin për anonimitet për dëshmitarin F, pasi që mbrojtja pretendon se urdhri ka qenë i rastit ‘Drenica 1’ dhe se i njëjti është përdorur në këtë rast gjyqësor, duke pretenduar se është në kundërshtim me legjislacionin penal.
Pas pajisjes me to, poashtu edhe lidhur me ligjshmërinë e përgjimeve të dëshmitarit C, gjyqtari Kurtaj theksoi se do merret vendim bashkërisht me të tjerat.
Në mungesë të sigurimit të dokumenteve të kërkuara në kohë të shpejtë, prokurorja e rastit Florije Shamolli kërkoi që seanca e datës 6 dhe 7 nëntor të anulohet, në mënyrë që të ketë kohë për gjetje të dokumenteve të kërkuara dhe në rrjedhë të saj edhe mbrojtësi Arianit Koci propozoi që edhe shqyrtimi i ditës së sotme të shtyhet për shkaqe që varësisht nga vendimet që do merren lidhur me çështjet e lartëcekura do të orientojnë edhe përgatitjen e fjalës hyrëse.
Pas propozimit të tillë, trupi gjykues mori vendim që shqyrtimi i sotëm të mos mbahet dhe shqyrtimi eventual i radhës të mbahet me datë 29 nëntor, ashtu siç është paracaktuar më parë.
Dëshmitarët të cilët sipas prokurorisë janë penguar dyshohet se kanë dhënë deklarata të rrejshme në shqyrtimin gjyqësor ku po gjykoheshin Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Sabit Geci dhe Ismet Haxha për rastin e arratisjes nga QKUK-ja.
Sipas prokurorisë ata dyshohet të kenë mohuar deklaratat e dhëna në procedurë paraprake si rezultat i ndikimit nga të pandehurit.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë nxitur dëshmitarin “C” për të dhënë deklaratë të rrejshme, duke i premtuar vend pune dhe i kanë ofruar shumën e parave në shumë prej 40 mijë euro dhe një banesë në lagjen Dardania në Prishtinë.
Në këmbim të mohimit të deklaratës në procedurë paraprake, të pandehurit i kishin paguar dëshmitarit “C” edhe trajtimin e gruas së tij në spital.
Kjo deklaratë e rrejshme kishte penguar në gjykimin e rastit “Arratija nga QKUK-ja” – P.938/13, ku ishin liruar nga akuza të pandehurit Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Sabit Geci, thuhet në dosjes së prokurorisë.
Përveç këtij dëshmitari, ata dyshohen se kanë ndikuar edhe në një dëshmitar tjetër duke e kërcënuar.
Sipas dosjes së prokurorisë, veprimet e të pandehurve në procedurë përbëjnë shkeljet sipas Kodit Penal: “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal”.
Ndryshe, prokurori i EULEX-it, Romelu Matues, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve më 17 nëntor 2016, të cilët i ngarkon me disa vepra penale e që lidhen me arratisjen e Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK, të cilët ishin dënuar në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës”, dhe që në këtë qendër kishin shkuar për të marr shërbime mjekësore, për shkak të problemeve shëndetësore.
Për të akuzuarit Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës, të cilat kanë të bëjnë me pengimin e dëshmitarëve ishte veçuar procedura.
Ndërsa për këtë pjesë, bashkë me gjashtë të akuzuarit do të gjykohen edhe Sami Lushtaku dhe Ismet Haxha, të cilët gjithashtu do të gjykohen edhe për pjesën tjetër të aktakuzës, që ka të bëjë me arratisjen nga QKUK-ja.
Për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës, Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani, ngarkohen me veprat penale “pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare”, “frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “pjesëmarrja në grup të organizuar kriminal”.
Kjo seancë e cila kishte cilësinë e procedurës statusore, u mbajt për koordinim në lidhje me seancat e radhës dhe radhën e dëshmitarëve që do të dëgjohen në këtë cështje penale, e ku të pranishëm ishin Sami Lushtaku, ish- Kryetar i Komunës së Skenderajt, të akuzuarit tjerë dhe mbrojtësit e tyre.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitorues: Leotrim Pajaziti