Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamentin e Përgjithshëm është mbajtur gjykimi në mungesë ndaj të akuzuarit Afrim Bajrami.
I njëjti po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, për shkak të veprës penale “Kanosja”.
Në këtë seancë i pranishëm ishte mbrojtësi i të akuzuarit Afrim Bajrami, Av. Avdyl Hyseni, ndërsa nuk ishte e pranishme e dëmtuara Ariana Musliu-Shoshi.
Mbrojtësi i të akuzuarit Afrim Bajrami deklaroj se mbetet në tersi pranë deklarimeve të bëra në shqyrtimin e mëparshëm gjyqësor në të cilën është pranuar fajësia nga ana e të akuzuarit.
Lidhur me këtë, gjyqtari Sabit Sadikaj, me aktvendim ka aprovuar pranimin e fajësisë dhe palët e pranishme i njoftoj se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datë 16 nëntor 2023.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Afrim Bajrami, akuzohet se me datë 02 maj 2023, përmes rrjetit social Facebook, ka kanosur të dëmtuarën Ariana Musliu-Shoshi- deputete në Kuvendin e Kosovës, duke ju drejtuar se “Edhe dy muaj i ke jetë midis Prishtinës” si dhe fjalë të tjera kërcënuese.
Me këtë i njëjti po akuzohet për veprën penale “Kanosja”.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Rinor Bajrami dhe Gentrit Kuqani.