Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku ish-zyrtari i “ProCredit Bank” Durim Xhiha akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Në dëgjimin e dëshmitarit Arben Haqani, në pyetjet e prokurores së rastit Dulina Hamiti, u konstatua ndërlidhja e pozitës së tij me printimin e portofoliove të cilat përmbanin të dhëna bankare të klientëve të fushës së biznesit, njëkohësisht dëshmitari Haqani deklaroi se lidhur me printimet sipas raportit të zyrës së sigurisë së informacionit ato janë printuar nga tashmë i akuzuari Xhiha, e të cilat portofolio përmbajnë listë të klientëve të bankës që menaxhohen nga personat përgjegjës, ku përfshihet emri i klientit dhe biznesit, limitet kreditore që i kanë të ekspozuar ndaj bankës, bilancin e llogarive , nivelin e transfereve, karta krediti, overdraft, linja kreditore etj., dhe të cilat janë konfidenciale.
Ndërsa lidhur me pasojat nëse ato të dhëna të printuara publikohen, dëshmitari Haqani theksoi se mund të ketë dëm reputacional të bankës, si dhe njëkohësisht të sistemit bankar.
Tutje, me propozim të prokurores Hamiti, deklarata e dëshmitarit tjetër Flamur Avdyli, me vendim të trupit gjykues u konstatua e lexuar, për shkak të pamundësisë së sigurimit të prezencës së tij në procedurë.
Në seancën e sotme u paraqitën poashtu provat materiale, të cilat mbrojtja i kundërshtoi për shkak të mossqarimit të të njëjtave se çfarë përmbajnë.
Seanca vazhdoi me dëgjimin e të akuzuarit, Durim Xhiha, i cili në pyetjet e mbrojtësit të tij Atdhe Dika, deklaroi se dokumentacioni përkatës është shkatërruar në prani të dëshmitarit Armend Haxhiu dhe se i njëjti nuk është fotografuar, e as shpërndarë me persona të tretë jashtë bankës.
Dëshmitari Xhiha, deklaroi se për qëllimin për të cilin i ka printuar mendon se ka vepruar drejt, sepse qëllimi ishte të ja dëshmonte menaxherit të atëhershëm Armend Haxhiu, punën e secilit koleg dhe të veten, për shkak të deklarimit të menaxherit se performanca e tij ishte nën mesataren e kolegëve tjerë dhe se i ka printuar nën efekt.
Në vazhdim të seancës, palët dhanë fjalët përfundimtare, ku prokurorja Hamiti deklaroi se me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve vërtetohet kryerja e veprës penale për të cilën akuzohet Xhiha, duke kërkuar kështu nxjerrjen e aktgjykimit dënues. Ndërsa deklarim të tillë nuk pati mbrojtja e të dëmtuarës ‘Procredit Bank’, përfaqësuesi ligjor i së cilës deklaroi se banka nuk ka pësuar asnjë pasojë, andaj në këtë rrjedh tërhiqen nga ndjekja penale dhe nga ushtrimi i kërkesës pasurore-juridike, pasi nuk është cenuar banka, klienti apo sistemi bankar.
Aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Xhiha, kërkoi mbrojtësi i tij, avokati Dika, i cili theksoi se gjykata duhet të ketë parasysh faktin se vepra penale për të cilën akuzohet i pandehuri nuk përbën vepër penale, për faktin se me ndryshimet e Kodit të vitit 2019 personi zyrtar i një shoqërie tregtare nuk përkufizohet si person zyrtar dhe se duhet aplikuar ligji më i favorshëm për të akuzuarin me rastin e vendosjes. I njëjti deklaroi se vepra e të akuzuarit Xhiha përbën vetëm shkelje diciplinore dhe të detyrave.
Shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet me datë 16 nëntor, në ora 13:00.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 30 nëntor 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj Durim Xhihës, me pretendimin se i njëjti në cilësinë e personit zyrtar, këshilltar për biznese të vogla në “ProCredit Bank” në Prishtinë, ka keqpërdor pozitën e tij apo autoritetin zyrtar, duke tejkaluar autorizimet e tij.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Xhiha, prej 10 tetorit 2016 deri më 13 tetor 2016, në zyrën e tij të punës në “ProCredit Bank” në Prishtinë, në mënyrë të paautorizuar nga sistemi i brendshëm i printimeve të bankës, ka printuar dokumente të cilat përmbajnë informata të detajuara të klientëve.
Në bazë të aktakuzës, i njëjti ka printuar edhe portofoliot, të cilat ishin nën menaxhimin e kolegëve të tjerë të punës dhe dokumente të cilët ishin nën menaxhimin e tij, të cilat kanë të bëjnë me të dhëna financiare të 1 mijë e 461 klientëve të bankës “ProCredit”.
Gjithnjë sipas aktakuzës, këto të dhëna përmbanin kodin e klientit, numrin identifikues të klientit, emrin e klientit, tipin e klientit, kategorinë e klientit, personin përgjegjës për klientin, ID e personit përgjegjës, sektorin ekonomik të klientit, aktivitetin ekonomik të klientit, limitin financiar të aprovuar, shumën maksimale të ekspozimit të klientit, kredinë aktive të mbetur, EKO kredi aktive/ të mbetur, shumën e aprovuar e ‘overdraft’ dhe balanca i ‘overdraftit’, e me ç’ rast të dëmtuarës “ProCredit Bank”, i ka shkaktuar edhe dëm material.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti