Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, sot ka shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarit Afrim Bajrami. Të njëjtin e ka dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 30 ditëve, i cili denim do të ekzekutohet pasi që vendimi të merr formën e prerë.
Poashtu, gjykata të njëjtit, kohën e paraburgimit të kaluar prej 30 ditësh ja ka llogaritur në dënimin e shqiptuar.
Ndërsa, të dëmtuarën Ariana Musliu – Shoshi, gjykata e udhëzoi në kontest civil, për realizimin e kërkesës pasurore juridike.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Afrim Bajrami, akuzohet se me datë 02 maj 2023, përmes rrjetit social Facebook, ka kanosur të dëmtuarën Ariana Musliu-Shoshi – deputete në Kuvendin e Kosovës, duke ju drejtuar se “Edhe dy muaj i ke jetë midis Prishtinës” si dhe fjalë të tjera kërcënuese.
Me këtë i njëjti po akuzohet për veprën penale “Kanosja”.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Gentrit Kuqani