|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për krim të organizuar

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamentin Special, ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarve Fatmir Musliji dhe Brahim Xhemajli.

Ata po akuzohen se duke vepruar në bashkëpunim kriminal ndërmjet vete kanë kryer veprën penale “Krimi i organizuar” lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”.

Deri te shtyrja e kësaj seance erdhi si pasojë e mungesës së të akuzuarit Brahim Xhemajli.

Gjykata njoftoj të pranishmit se për të njëjtin në gjykatë është sjellë një raport shëndetësor, i cili vërteton se i njëjti nuk ka pasur mundësi të paraqitet për këtë seancë.

Kryetari i trupit gjykues, Mentor Bajraktari, në mungesë të kushteve ligjore, seancën e planifikuar për ditën e sotme, e po ashtu edhe seancën e planifikuar për datën 17 nëntor 2023, i anuloj, ndërsa seancat e radhës i caktoj për datat 18 dhe 19 janar 2023.

Ndryshe sipas aktakuzës, të pandehurit Fatmir Musliji dhe Brahim Xhemajli, po akuzohen se duke vepruar në bashkëpunim si një grup kriminal i strukturuar dhe i organizuar, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, pa autorizim kanë shitur dhe transportuar substanca të cilat janë shpallur të rrezikshme, të llojit heroine.

Ashtu që i pandehuri Fatmir Musliji e ka formuar dhe organizuar këtë grup kriminal të përbërë nga persona të ndryshëm mes tyre dhe të pandehurit Brahim Xhemajli dhe Z.G, të cilin grup i pandehuri Fatmir e ka mbikëqyrë, udhëheqë dhe ka drejtuar veprimet e tyre.

Tutje në aktakuzë thuhet se gjatë periudhës kohore shumëvjeçare nga burimet e panjohura rregullisht kanë blerë substanca narkotike të llojit heroin dhe për atë heroinë pastaj, i pandehuri Fatmir përmes telefonit, duke përdorur për çdo dërgesë një numër tjetër kontakti, pa autorizim e ka organizuar shitjen dhe transportimin në shtetet perëndimore, kryesisht në Gjermani, nëpërmjet rrugëve tokësore të disa shteteve, ndërsa për pjesën më të vogël të heroinës e ka organizuar shitjen e paautorizuar në tregun kosovar.

Kujtojmë se në këtë çështje penale ka qenë i akuzuar edhe Z.G, mirëpo me qenë se i njëjti ka ndërruar jetë, ka pushuar procedura penale ndaj tij.

Me këto veprime të akuzuarit po akuzohen se kanë kryer veprën penale: Krimi i organizuar e parashikuar me nenin 274, par. 3 lidhur me veprën penale: Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike të parashikuar nga neni 229 par. 1 nënpar.1 lidhur me par. 2 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës.

Ndërsa, i pandehuri Fatmir Musliji gjithashtu po akuzohet edhe për veprën penale: Shpërlarja e parave nga neni 32 par. 1 dhe 2 nënpar. 2.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Rinor Bajrami

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter