Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda, sot ka shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarit Durim Xhiha, ish-punonjës i Procredit Bank.
I njëjti akuzohej nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Gjykata në këtë shpallje të njëjtin e liroi nga akuza, me arsyetimin se nga provat e administruara në këtë shqyrtim gjyqësor, nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.
Kujtojmë se në seancën e ditës së djeshme ishte dëgjuar dëshmitari Arben Haqani, poashtu ishin administruar provat si dhe ishin dhënë fjalët përfundimtare të palëve, meqë rast pala e dëmtuar ‘Procredit Bank’ përmes përfaqësuesit të saj ligjor ishte tërhequr nga ndjekja penale ndaj të akuzuarit Xhiha, duke përfshirë edhe ushtrimin e kërkesës pasurore-juridike.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 30 nëntor 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj Durim Xhihës, me pretendimin se i njëjti në cilësinë e personit zyrtar, këshilltar për biznese të vogla në “ProCredit Bank” në Prishtinë, ka keqpërdor pozitën e tij apo autoritetin zyrtar, duke tejkaluar autorizimet e tij.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Xhiha, prej 10 tetorit 2016 deri më 13 tetor 2016, në zyrën e tij të punës në “ProCredit Bank” në Prishtinë, në mënyrë të paautorizuar nga sistemi i brendshëm i printimeve të bankës, ka printuar dokumente të cilat përmbajnë informata të detajuara të klientëve.
Në bazë të aktakuzës, i njëjti ka printuar edhe portofoliot, të cilat ishin nën menaxhimin e kolegëve të tjerë të punës dhe dokumente të cilët ishin nën menaxhimin e tij, të cilat kanë të bëjnë me të dhëna financiare të 1 mijë e 461 klientëve të bankës “ProCredit”.
Gjithnjë sipas aktakuzës, këto të dhëna përmbanin kodin e klientit, numrin identifikues të klientit, emrin e klientit, tipin e klientit, kategorinë e klientit, personin përgjegjës për klientin, ID e personit përgjegjës, sektorin ekonomik të klientit, aktivitetin ekonomik të klientit, limitin financiar të aprovuar, shumën maksimale të ekspozimit të klientit, kredinë aktive të mbetur, EKO kredi aktive/ të mbetur, shumën e aprovuar e ‘overdraft’ dhe balanca i ‘overdraftit’, e me ç’ rast të dëmtuarës “ProCredit Bank”, i ka shkaktuar edhe dëm material.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti