Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku Jakup Tërnava, në cilësi të drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Fushë-Kosovës dhe zyrtarët Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Për vazhdimin e seancës së sotme nuk pati kushte ligjore për shkak të mungesës së mbrojtëses së të akuzuarës Liridona Mustafa-Sadiku, avokates Fetije Uka-Islami, e cilla ka njoftuar gjykatën për mungesën e saj për shkaqe shëndetësore.
Poashtu në seancë mungonte edhe i dëmtuari Xhafer Kutllovci, për mungesën e të cilit njoftoi djali i tij Ilir Kutllovci.
Kujtojmë se në këtë rast ishin të akuzuar katër zyrtarë, por që procedura ndaj Mevlude Nishori, zyrtare në Komunën e Fushë-Kosovës ishte veçuar për shkaqe shëndetësore në seancën e datës 14 mars 2023.
Seanca u shtye për datën 29 dhjetor, në ora 09:00, në të cilën do të bëhet administrimi i provave.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të 30 shtatorit 2019, Mevlude Nishori akuzohet se më 18 mars 2016, si zyrtare ligjore për regjistrimin e hipotekave në Komunën e Fushë-Kosovës, duke tejkaluar kompetencat e saja, edhe pse nuk ka qenë detyrë dhe përgjegjësi e saj në bazë të vendit të punës, ka përpiluar aktvendimin me të cilin ka revokuar vendimin e 19 qershorit 2008, që kishte të bënte me bartjen në Operatin Kadastral për ngastrën me nr.00451/1, me sipërfaqe prej 1162 metër katror, e cila ishte bartur në emër të Selim Kutllovcit, Bislim Kutllovcit, Zymer Kutllovcit dhe Xhafer Kutllovcit.
Tutje, sipas dispozitivit 2.1 i akuzuari Jakup Tërnava ngarkohet se më 18 mars 2016, në cilësinë e personit zyrtar, drejtor i Drejtoratit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë-Kosovës, ka shfrytëzuar pozitën apo autoritetin zyrtar ku kishte nënshkruar aktvendimin e 18 marsit 2016, duke mos përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër dhe si pasojë e këtij aktvendimi janë bëre ndryshime në parcelë, ku për të njëjtën parcelë, Gjykata Themelore në Prishtine-Divizioni për Çështje Civile, kishte marrë aktvendim për masën e përkohshme të sigurisë, më 25 gusht 2015.
Me këtë, Tërnava akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1 të KPRK-së.
Kurse, në dispozitivin e tretë të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Ejup Gërguri më 25 prill 2013, në cilësinë e personit zyrtar, referent i ndërrimeve në Kadastër në Komunën e Fushë-Kosovës, ka shfrytëzuar pozitën apo autoritetin zyrtar, ashtu që kishte lëshuar certifikatë mbi pronën në bazë të së cilës parcela i ishte kthyer në gjendjen e mëparshme pa u përmbushur kushtet ligjore për këtë certifikatë, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër.
Me këtë rast, thuhet se iu ka shkaktuar dëme të dëmtuarve Selim Kutllovci, Bislim Kutllovci, Zymer Kutllovci, Xhafer Kutllovci, Nazmi Kutllovci, Feriz Kutllovci dhe Muharrem Kutllovci.
Me këtë, Gërguri akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të KPRK-së.
Në dispozitivin e katërt, e akuzuara Liridona Mustafa-Sadiku ngarkohet se më 18 mars 2016, në cilësinë e personit zyrtar-zyrtare ligjore në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë-Kosovës, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e saj zyrtar, ashtu që në bazë të vendimit të 18 marsit 2016, ka ndërruar operatin kadastral, duke mos përmbushur detyrat e saj zyrtare, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër dhe si pasojë e këtij aktvendimi, kishin bërë ndryshime në parcelën për të cilën Gjykata Themelore në Prishtinë, Divizioni për Çështje Civile, kishte marrë aktvendim për masën e përkohshme të sigurisë, më 25 gusht 2015.
Me këtë, e njëjta akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti