Në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda sot ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj të pandehurit Sadedin Sharku, i akuzuar për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ngadhnjim Arrni konstatoi se prezent në seancën e sotme ishte prokurorja e shtetit Merita Lumezi ndërsa munguan i pandehuri Sharku dhe mbrojtësi i tij, avokati Ahmet Tahiraj.
Gjyqtari Arrni theksoi se nuk ka pranuar asnjë informacion për mungesën e të akuzuarit Sharku kurse për avokatin Tahiraj është informuar përmes një parashtrese ku ai ka kërkuar shtyrjen e seancës për shkak të angazhimeve në një seancë tjetër gjyqësore.
Gjyqtari Arrni theksoi se do të shqyrtojë arsyeshmërinë e mungesës së të akuzuarit Sharku dhe mori vendim që seanca e radhës në këtë çështje penale të mbahet më 4 dhjetor 2023.
Ndryshe, sipas aktakuzës, Sadedin Sharku, akuzohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë, për vete i ofron dhuratë të paarsyeshme personave zyrtar, në mënyrë që ata persona të veprojnë në kundërshtim me detyrën zyrtare.
Sipas këtyre veprimeve, i akuzuari Sadedin Sharku akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënie e ryshfetit”, nga neni 422, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Gentrit Kuqani