|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Administrohen provat materiale në rastin e ish-inspektorëve të Fushë Kosovës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin e Krimeve të Rënda, ka vazhduar seanca e shqyrtimit gjyqësor në rigjykim ndaj Valbona Ferati, Doruntina Dumani, Afrim Krasniqi dhe Mobere Hyseni, të cilët akuzohen nga Prokuroria Themelore për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Seanca filloi me administrimin e provave materiale, ku prokurori Zefë Prendrecaj deklaroi se mbetet në tërësi pranë provave të propozuara si në aktakuzë e njëkohësisht edhe ndaj provave tjera, të cilat janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor, si para kthimit në rigjykim, poashtu edhe gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor.

Në mbrojtjen e të akuzuarit Afrim Krasniqi, në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Arbër Guta, i njëjti deklaroi se qëndron pranë mbrojtjes së dhënë me datë 27 janar 2022 dhe lidhur me njohurinë për ndërtimin e dy objekteve dhe parregullsive siç përshkruhen në aktakuzë deklaroi se ka qenë në njohuri vetëm pas paraqitjes së ankesës nga qytetarët, meqë rast ka ndërmarrë menjëherë veprime konkrete.

Ndërsa në marrjen në pyetje nga prokurori Prendrecaj lidhur me atë se a qëndron i akuzuari Krasniqi pranë gjitha deklaratave të dhëna në prokurori dhe polici, i akuzuari theksoi se në disa pjesë të tyre nuk qëndron.

Përveç çështjeve të lartëcekura, i akuzuari u deklarua edhe lidhur me faktin se a konsideron se ka pasur tejkalim të ndërtimit duke u bazuar në lejen ndërtimore dhe zhvendosjen, i cili theksoi se për shkak se ka pasur tejkalim i kanë prerë ballkonet, ndërsa për zhvendosjen, objektet i ka gjetur njërin të përfunduar në ndërtimin e vrazhdë, ndërsa tjetrin në katin e pestë.

Valbona Ferati, Doruntina Dumani dhe Mobere Hyseni, të akuzuara poashtu në këtë rast u mbrojtën në heshtje, duke deklaruar se qëndrojnë pranë deklaratave të dhëna në shqyrtimin gjyqësor paraprak dhe të tanishëm.

Në mungesë të përgatitjes së fjalës përfundimtare nga prokurori Prendrecaj, i cili kërkoi që seanca e sotme të shtyhet për një ditë tjetër, trupi gjykues mori aktvendim për shtyerje të seancës për datën 23 nëntor, nga ora 08:30, ku do paraqitet fjala përfundimtare e palëve.

Ky është gjykimi i dytë në këtë çështje penale, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 qershor 2022, kishte nxjerrë aktgjykim lirues për të akuzuarit, me arsyetimin se nuk ka prova të cilat dëshmojnë kryerjen e veprës penale që i’u vihet në barrë sipas aktakuzës. Ndërsa Gjykata e Apelit më 1 nëntor 2022 kishte anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, duke e kthyer lëndën në rivendosje.

Ndërsa sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore, e cila është ngritur më 14 dhjetor 2016, të akuzuarat Mobere Hyseni dhe Doruntina Dumani, akuzohen se në cilësinë e inspektoreve të ndërtimit, në Drejtorinë e Inspeksionit në Fushë-Kosovë, përgjegjëse për rrugën “Shefki Kuleta” dhe “Nëna Terezë”, në Fushë-Kosovë, nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare që kanë qenë të obliguara ta kryejnë në bazë të detyrave të tyre zyrtare, duke bërë zhvendosjen e pikave të ndërtimit të objektit numër I, nga pikat e parapara sipas lejes dhe vijës ndërtimore të lëshuar nga Drejtoria për Planifikim Urban e Komunës së Fushë-Kosovës.

Ndërsa, Valbona Ferati, Doruntina Dumani si inspektore të ndërtimit, dhe Afrim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të departamentit të ndërtimit, akuzohen se gjatë periudhës kohore 2015-2016, nuk i kanë ndërprerë punimet kundërligjore dhe nuk kanë nxjerrë vendim për rrënim, duke i mundësuar në këtë mënyrë “Princesha Construction”, të përfitojë nga ndërtimet kundërligjore në dy objekte banesore tetë katëshe, i cili ka pasur tejkalim të lejes ndërtimore.

Po ashtu, të akuzuarat Ferati dhe Dumani thuhet se kanë hartuar edhe procesverbale dhe vendime për rrënim edhe atë jo në fazën e hershme të ndërtimit, por këtë e kanë bërë në kohën kur objektet ishin në fazën e avancuar të ndërtimit.

Prokuroria Themelore, katër të akuzuarit i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter