|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Mbahet seanca e radhës në rastin e Pal Lekaj dhe të tjerët



Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special është mbajtur seanca e radhës në rastin ku ish-Ministri Pal Lekaj si dhe zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës Esat Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, po akuzohen për veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokurori i shtetit Atdhe Demaj propozon që të sigurohet prania e dëshmitarëve Riyadh Alkhazaraji i cili është pronar i Operatorit ekonomik  “Bechtel&Enka” dhe Xhorgjo Papajuano Drejtor i Kompanisë mbikqyrëse ‘Hill Internacional’, pavarësisht se është shumë e vështirë, i njejti thekson se kanë komunikuar me njërin nga ta por sigurimi i tyre në shqyrtim gjyqësor mbetet ende punë e vështirë sipas Prokurorisë.

Avokati Afrim Salihu,  deklarohet rreth propozimit të prokurorisë thekson se e mbështet ftesën e dëshmitarëve, pasi edhe mbrojtja kanë për ti bërë pyetjet e veta, për faktin se të dy dëshmitarët kanë dhënë vetëm deklarata në polici dhe mungon deklarata në prokurori, po ashtu thekson kjo rrethanë ndihmon në zbardhjen e së vërtetës.

Trupi Gjykues merr aktvendim lidhur me propozimin e prokurorit Demaj në të cilin thekson se: Tani për tani refuzohet propozimi i prokurorit, por obligohet prokuroria të bëjë sigurimin përmes bashkëpunimit ndërkombëtar që mbrojtja të ketë mundësi të dëgjoj mendimet e dëshmitarëve apo t’i kundërshtoj si të tilla.

Prokurori i shtetit Valdet Gashi vazhdon me paraqitjen e provave materiale të cilat i inkriminojnë veprimet akuzuese të të pandehurve. Si prova Prokurori thekson: Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për themelimin e Komitetit Hetues ndërministror në të cilin konstatohen detyrat dhe kompetencat e komitetit të themeluar nga ky vendim. Nga kjo provë e cila është propozuar për administrim do të vërtetohet qartë se Komiteti i përcakton politikat dhe siguron koordinim ndërministror, gjatë gjithë fazave të projektit.

Provë tjetër e cila është propozuar nga Prokuroria është Kontrata bazë e lidhur në mes të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Operatorit ekonomik “Bechtel&Enka”, do të sqarohet dhe vërtetohet sakt kosto e marrëveshjes. Provë tjetër është edhe ekspertiza financiare e projektit të rrugës Prishtinë – Hani Elezit, përmes të cilës do të bëhet vërtetimi i veprimeve të kundërligjshme të të pandehurve përgjatë zhvillimeve të këtij projekti.
Prokurori thekson se të gjitha këto prova të cilat janë propozuar do të elaborohen në fjalën përfundimtare.

Fillimisht, mbrojtja i kundërshton në tërësi provat e paraqitura më lartë nga Prokuroria si dhe vijnë me një propozim të përbashkët që Gjykata fillimisht të ftoj në cilësinë e dëshmitarit Azis Sallahun – zyrtar hetues, rëndësia e tij është se ai është hetuesi i parë që është marrë me rastin. Po ashtu, kërkojnë nga trupi gjykues që të bëjnë kundërshtimin e dëshmisë së dëshmitarit Lutfi Zharku pasi dëshmia e tij është kundërthënëse.


Trupi Gjykues merr aktvendim refuzues lidhur me qëndrimin e përbashkët të mbrojtjes që në cilësi të dëshmitarit të ftohet dhe dëgjohet Hetusi Azis Sallahu pasi Gjykata vlerëson se ai vepron sipas autorizimit të Prokurorit të qështjes dhe të gjitha vendimet e tij i përcjell me raporte konkrete. Aprovohet propozimi i Avokatit Urim Vokshi që të dëgjohet eksperti Agim Sheqiri.

Seancat e radhës u caktuan të mbahen me datë: 01, 04 dhe 05, dhjetor 2023 nga ora 09:30.

Kujtojmë që, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në aktakuzën PPS.nr.40/2019, të datës 4 shkurt 2022, ngarkon ish-ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj, së bashku me Nebih Shatrin dhe Eset Berishën, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, të KPRK-së.

Kurse, në rastin e njëjtë, më datë 18 shkurt 2022, PSRK kishte ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit, po për të njëjtën vepër penale.

Sipas PSRK-së, me datë 27.09.2017, në Ministrinë e Infrastrukturës në Prishtinë, në cilësi të personave zyrtar, Pal Lekaj – Ministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe si Kryesues i Komitetit Ndërkombëtarë (KDNM) dhe Nebih Shatri – Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri- Drejtor i Prokurimit Publik në MI, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.

Me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës e në dobi të personit tjetër, në atë mënyrë që të njëjtit më kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe me kushtet e kontratës, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel&Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve, saktësisht për 347 ditë tjera, duke mos caktuar kosto financiare.

E në këtë drejtim i kanë lënë hapësirë OE “Bechtel&Enka” që të paraqesin kërkesë për pagesën e shumës shtesë në vlerën prej 53.100.000.00 euro, ku si pasoj e këtyre veprimeve të të pandehurve, është aprovuar për pagesë nga Qeveria e RKS-së, shumë kjo e cila është në kundërshtim të plotë me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës, e me ç’rast me veprimet e të pandehurve buxhetit të RKS-së, i është shkaktuar dëm në vlerë 38.321.346.00 euro.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter