|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Përfundon shqyrtimi gjyqësor në rastin e ish-inspektorëve të Fushë Kosovës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin e Krimeve të Rënda, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rigjykim ndaj Valbona Ferati, Doruntina Dumani, Afrim Krasniqi dhe Mobere Hyseni, të cilët akuzohen nga Prokuroria Themelore për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në seancën e sotme u paraqitën fjalët përfundimtare të palëve në procedurë, meqë rast prokurori Zefë Prendrecaj si dhe mbrojtësit e të akuzuarve deklaruan se qëndrojnë pranë fjalës përfundimtare të dorëzuar me shkrim.

Mbrojtësi i të akuzuarës Valbona Ferati në fjalën përfundimtare të tij deklaroi se sipas aktakuzës për të mbrojturën e tij përshkruhet se nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, meqë rast sipas udhëzuesit të Gjykatës Supreme nuk është arritur në këtë shqyrtim gjyqësor të përmbledhen elementet e kësaj vepre e cila hyn në kuadër të veprave të korrupsionit. I njëjti trupit gjykues i’a dorëzoi edhe një aktgjykim të Gjykatës Supreme, duke theksuar se është i ngjashëm me rastin tani, e në të cilin aktgjykim Gjykata Supreme kishte konstatuar se nuk është vëretuar kryerja e veprës penale.

Se mbështesin fjalët përfundimtare të mbrojtësve të tyre u deklaruan edhe të akuzuarit Valbona Ferati, Doruntina Dumani, Afrim Krasniqi dhe Mobere Hyseni.

Seanca e radhës për shpalljen e aktgjykimit u caktua për datën 24 nëntor 2023, nga ora 13:00.

Ky është gjykimi i dytë në këtë çështje penale, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 qershor 2022, kishte nxjerrë aktgjykim lirues për të akuzuarit, me arsyetimin se nuk ka prova të cilat dëshmojnë kryerjen e veprës penale që i’u vihet në barrë sipas aktakuzës. Ndërsa Gjykata e Apelit më 1 nëntor 2022 kishte anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, duke e kthyer lëndën në rivendosje.

Ndërsa sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore, e cila është ngritur më 14 dhjetor 2016, të akuzuarat Mobere Hyseni dhe Doruntina Dumani, akuzohen se në cilësinë e inspektoreve të ndërtimit, në Drejtorinë e Inspeksionit në Fushë-Kosovë, përgjegjëse për rrugën “Shefki Kuleta” dhe “Nëna Terezë”, në Fushë-Kosovë, nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare që kanë qenë të obliguara ta kryejnë në bazë të detyrave të tyre zyrtare, duke bërë zhvendosjen e pikave të ndërtimit të objektit numër I, nga pikat e parapara sipas lejes dhe vijës ndërtimore të lëshuar nga Drejtoria për Planifikim Urban e Komunës së Fushë-Kosovës.

Ndërsa, Valbona Ferati, Doruntina Dumani si inspektore të ndërtimit, dhe Afrim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të departamentit të ndërtimit, akuzohen se gjatë periudhës kohore 2015-2016, nuk i kanë ndërprerë punimet kundërligjore dhe nuk kanë nxjerrë vendim për rrënim, duke i mundësuar në këtë mënyrë “Princesha Construction”, të përfitojë nga ndërtimet kundërligjore në dy objekte banesore tetë katëshe, i cili ka pasur tejkalim të lejes ndërtimore.

Po ashtu, të akuzuarat Ferati dhe Dumani thuhet se kanë hartuar edhe procesverbale dhe vendime për rrënim edhe atë jo në fazën e hershme të ndërtimit, por këtë e kanë bërë në kohën kur objektet ishin në fazën e avancuar të ndërtimit.

Prokuroria Themelore, katër të akuzuarit i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter