Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e gjykimit për korrupsion dhe krim të organizuar ndaj ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit Dragan Jabllanoviq dhe të tjerëve.
Në seancën e sotme janë dëgjuar tre dëshmitarë, Andrea Iganiatoviq, Faton Nebihu dhe Arif Alimusaj.
Në dëgjimin e dëshmitarit të parë, në pyetjet e prokurores speciale Merita Bina-Rugova, deklaroi se zyrtar të prokurimit në atë kohë kanë qenë Jellica Baraq dhe Dragisha Lakiqeviq dhe se kujton që në atë kohë kishte arritur dokumenti për ekzekutimin e pagesave me detyrim nga përmbaruesi privat sipas kërkesave të dy bizneseve.
Në lidhje me diferencën e kohës mes mohimit të borxhit të pagesës për projektet përkatëse të Komunës së Leposaviqit si dhe marrjes përsipër të borxhit pas disa ditësh, dëshmitari Iganiatoviq theksoi se kjo kishte ardhur si pasojë e moskryerjes së detyrimeve nga ministritë përkatëse me të cilat kishin memorandum bashkëpunimi dhe se pas konsultimit me zyrtarë të Ministrisë së Financave është marrë përsipër kryerja e pagesës së borxhit në vlerë disa miliona euro.
Ndërsa në pyetjet e mbrojtësit Faruk Korenica, dëshmitari pohoi lidhur me pranimin e pajisjeve për pishinë, se në zyrën e Boban Milanoviqit ka qenë dhe Jellica Baraq e cila ka deklaruar se pajisjet kanë qenë në dogan në terminal doganor dhe është nevojitur 2-3 ditë që dokumentet në lidhje me pajisjet të përfundojnë dhe të dërgohen pajisjet për pishinë tek vendi përkatës.
Në pyetjet e gjyqtares së rastit Violeta Namani, dëshmitari theksoi se lidhur me pranimin e borxhit kanë qenë të koordinuar me kryetarin e atëhershëm të Komunës së Leposaviqit. Poashtu i njëjti deklaroi se kjo akuzë ndaj të pandehurve ka qenë si pasojë e lojës politike nga Lista Serbe e cila ka qenë kundërshtare e udhëheqjes së atëhershme të Komunës së Leposaviqit dhe ka krijuar pengesa për kryerjen e pagesave sipas memorandumeve të bashkëpunimeve me ministritë.
Poashtu në këtë cështje gjyqësore si dëshmitarë u dëgjuan dhe Faton Nebihi i cili deklaroi se qëndron pranë deklaratës së dhënë më herët, njëjtë dëshmitari tjetër Arif Alimusaj.
Seanca e radhës u caktua të mbahet me datë 13 dhe 14 dhjetor, nga ora 09:30, ku do dëgjohen dëshmitarët e radhës Radush Mihajloviq dhe Fatos Fejzullahu.
Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.
Sipas aktakuzës, të njëjtit kanë vepruar në formën, duke ndarë fonde nga buxheti i Komunës për kompanitë përfituese në tendere për kryerjen e projekteve të ndryshme, e të cilat nuk janë kryer sipas duhet, meqë rast kompanitë përkatëse kanë përfituar dobi pasurore, duke dëmtuar buxhetin publik. Njëkohësisht zyrtarët komunal, në cilësinë e anëtarëve të komisionit kanë bërë pranimin teknik të punimeve të cilat nuk kanë qenë të përfunduara fare, apo se nuk janë përfunduar sipas planit dinamik.
I pandehuri Dragan Jabllanoviq po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal” të organizuar nga neni 283, par. 2 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.
Të pandehurit Haxhi Bejta, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Cedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.
Ndërsa, të pandehurit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.5 të KPRK.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti