Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, sot shpalli fajtor të akuzuarin Abaz Foniqi për veprën penale ‘’Konflikt interesi’’.
Aktgjykimi ndaj tij u shpall këtë të enjte nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sami Sharraxhiu raporton ‘’Drejtësia Sot’’.
Foniqi u dënua nga gjykata me burgim me kohëzgjatje deri në 6 muaj, mirëpo me pëlqimin e tij mund t’i zëvendësohet me dënim me gjobë në shumë prej 2000€ si dhe shpenzimet procedurale.
Kujtojmë që sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë të ngritur me datë 27.07.2023 i akuzuari Abaz Foniqi në cilësinë e personit zyrtar – menaxher i prokurimit të komunës së Klinës, duke vepruar në kundështim me ligjin për parandalimin e konfliktit, me dashje merr pjesë personalisht në çështjen zyrtare për të cilën është dashur ta dijë se ndonjë anëtar i familjes së tij, ka të bëjë me interes financiar, në atë mënyrë duke zhvilluar procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, nënshkruan katër kontrata me operatorin ekonomik ‘’ILIR-KOSOVA’’ SH.P.K nga Prishtina, për furnizimin me pajisje të teknologjisë informative, me këto veprime ka favorizuar kompaninë në të cilën punon vajza e të pandehurit A.A.F, duke i mundësuar interes financiar operatorit të lartcekur ku është e punësuar vajza e tij,
Me çka në vazhdim ka kryer veprën penale ‘’Konflikt i interesit’’ nga neni 417 par.2 lidhur me par.1 dhe lidhur me nenin 77 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi