|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Është vazhduar dëgjimi i dëshmitarit ndaj të akuzuarit për Korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, është vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të radhës  ku i akuzuar është Besart Gashi për kryerjen e veprave penale Falsifikimi i dokumenteve dhe Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Në fillim  të shqyrtimit gjyqësor, kryetari i trupit gjykues Ilir Rashkaj, ka sqaruar se mosprezencën e dy dëshmitarëve të cilët parashihej të dëgjoheshin në këtë shqyrtim gjyqsor, ku tha se për dëshmitarin Syleman Hoxha gjykata ka lëshuar urdhëresë, ku sot me datë 04.12.2023 përmes e-mail’it është njoftuar nga ana e policisë se kanë vepruar sipas urdhëresës por nuk e kanë hasur të njëtjtin në shtëpi dhe sipas informatave nga ana e djalit të dëshmitarit, Syleman Hoxha ndodhet përkohësisht jashtë vendit, ndërsa sa i përket dëshmitarit Gëzim Mazreku, sipas dërgesës personale konstatohet se i njëjti e ka refuzuar ftesën e gjykatës.

Kështu që është vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të pranishëm dhe të propozuar nga ana e mbrojtjes, Xhevdet Gashi , i cili gjatë deklarimit të tij ka thënë se, me të akuzuarin nuk ka lidhje familjare edhe pse mbiemrat i kanë njësojë, të njëjtin e njeh si bashkëfshatar. I njëjti ka treguar se punon në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve (QRA) në Gjakovë si udhëheqës i kësaj qendre, ku në këtë qendër punon që nga viti 2020, ka punuar edhe në QRA në Malishevë nga viti 2008 deri në vitin 2015 po në cilësinë e njëjtë. Gjatë deklarimit ka treguar se të akuzuarin Besart e  njeh që nga viti 2013 pasi që ka qenë i angazhuar si nënpunës administrativ, dhe ka qenë vartës i tij. Gjithashtu ka pohuar se, ka pas raste kur e ka udhëzuar të akuzuarin që të mos paguajë taksa komunale por varësisht sipas rregullores për pagesa dhe tarifa të kuvendit komunal në Malishevë. Si dhe në fund ka sqaruar se, sipas rregullores se hartuar nga kuvendi komunal ka pas raste ku për kategori të caktuara janë parashikuar lirime nga pagesat, siç janë kategoritë e invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve të cilët janë liruar nga pagesa e taksës komunale. 

Në fund kryetari i trupit gjykues shton se, për sigurinë e pranisë së dëshmitarëve Syleman Hoxha, Gëzim Mazreku si dhe Shpejtim Morina gjykata edhe një herë do të lëshoj urdhëresë policisë së Kosovës për sigurimin e pranisë së tyre për të dëshmuar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i akuzuari Besart Gashi, nga 22 gushti 2017 e deri më 15 dhjetor 2020, duke qenë në cilësi të personit zyrtar në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në Komunën e Malishevës, me dashje, në mënyrë të kundërligjshme, dhe në kundërshtim me interesat dhe qëllimet e organit ku punon nuk përmbush detyrat e tij duke bërë shkeljen e udhëzimit administrativ Nr.01/2018 dhe 07/2019, saktësisht neneve 6 dhe 7. Ku në procedurën e regjistrimit të automjeteve për gjithsej 623 raste të regjistruara janë hasur parregullsi dhe shkelje ligjore, e që prej tyre 570 raste kanë rezultuar të jenë pa pagesë të taksës komunale, 43 raste të tjera janë hasur në parregullsi në kompletimin e dokumentacionit për patentë shofer dhe letërnjoftime, 5 raste të tjera me afat të skaduar të kontrollës teknike, 4 raste të tjera janë me regjistrime të reja e që në dokumentacion ka munguar libreza e vendit të origjinës së veturës, të cilat në tërësi janë të evidentuara tek pjesa e arsyetimit, me ç’rast Komunës së Malishevës i ka shkaktuar dëm në shumën prej 5,700 euro.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Tutje sipas aktakuzës, ai po akuzohet edhe se më 19 maj 2017, në QRA në Malishevë, në cilësi të personit zyrtar ka përpiluar dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të tij. Sipas aktakuzës, në librezën e veturës “Polo VË”, në rubrikën e vërejtjes kishte shënuar se vetura posedonte xhama të errësuara, ku nga libreza e kësaj veture e cila ishte importuar nga Zvicra, me pronar Gezim Mazreku, dhe në dokumentet e QAK rezulton se vetura nuk i posedonte xhamat e pasme të errësuara, ndërsa në automjetin me numër të shasisë …591 i është bërë evidentimi në sistemin elektronik të automjeteve në rubrikën vërejtje: kinse automjeti posedon xhama të pasme të errësuara nga prodhuesi, për çka rezulton nga kopja e dokumentit të CRA-së me nr.085013 dhe të pronarit tjetër të CRA-së 1002180.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 398 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Elvana Hatashi

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter