Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare në rastin ndaj të akuzuarit Sabri Shabani për veprën penale ‘Marrje ryshfeti’.
Në fjalën hyrëse, prokurori i rastit Armend Hamiti, deklaroi se në këtë shqyrtim gjyqësor janë dy videoincizime në Stacionin Policor- Veriu, në të cilat vërtetohet kur i akuzuari Sabri Shabani ia kthen të pandehurit Hajdar Dili librezën e qarkullimit, e në kundërvlerë merrë 50 euro, poashtu janë deklaratat e dëshmitarëve, të pandehurit Dili dhe në bazë të gjitha këtyre do vërtetohet përtej dyshimit të bazuar se i pandehuri Shabani ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Shabani, në fjalën hyrëse të tij theksoi se do të vërtetohet që aktakuza nga prokuroria është ngritur në formë të pabazuar.
‘Ndjehem i pafajshëm’, deklaroi i akuzuari Shabani, në fjalën hyrëse të tij.
Në seancën e sotme u dëgjua poashtu dëshmitari Mergim Bajrami, ndërsa dy dëshmitarët tjerë Ruzhdi Dili dhe Fisnik Rakoci munguan, e të cilët ishin paraparë të dëshmonin në këtë seancë në cilësinë e dëshmitarëve.
Dëshmitari Bajrami në pyetjet e prokurorit Hamiti, konstatoi se qëndron pranë deklaratës së dhënë në prokurori dhe se për rastin në fjalë nuk ka njohuri se çfarë ka ndodhur.
Kujtojmë se në seancën e datës 23 tetor 2023 ishte veçuar procedura ndaj të akuzuarit Sabri Shabani, pasi që kishte munguar në seancë dhe i pandehuri tjetër Hajdar Dili kishte pranuar fajësinë për veprën penale ‘Dhënie ryshfeti’.
Seanca e radhës u caktua për datën 22 janar, nga ora 09:00.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore, i pandehuri Sabri Shabani, akuzohet se ka kryer veprën penale ‘Marrje ryshfeti’ nga neni 421, par.2 të KPRK-së, në atë mënyrë që më datë 28 prill 2022 në cilësi të personit zyrtar si zyrtar policor dhe kolegu i tij Fisnik Rakoci ishin duke u marrë me një aksident trafiku, i pandehuri Sabri Shabani e ndalon autobusin me targa 01-599-QQ të kompanisë ‘Dita’ gë ishte duke qarkulluar në linjën e rregullt Prishtinë-Poduievë e të cilin autobus ishte duke e drejtuar Ruzhdi Dili dhe ua merr librezën e qarkullimit të autobusit të markës Setra, me pretendim se kanë kryer kundërvaitie në trafik duke hyrë në semaforë të kuq dhe nuk i kanë respektuar urdhrat e personit zyrtar. Në këtë rast i dyshuari Sabri Shabani duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij me qëllim që të përfitoj cfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër në atë mënyrë që i pandehuri Sabri Shabani i vetëdijshëm për veprën e vet dhe duke e dëshiruar kryerjen e saj, në cilësi të personit zyrtar si zyrtar policor, me datën 28 prill 2022 në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes telefonit duke e telefonuar të pandehurin Hajdar Dili kishte kërkuar ryshfet shumën prej 50 € (pesëdhjetë eurove) për vete me qëllim që të pandehurit Hajdar Dili të ja kthente librezën e qarkullimit të autobusit, e ku i dyshuari Sabri Shabani me date 28 prill 2022 para Stacionit Policor Veriu në Prishtinë ja dorëzon të pandehurit Hajdar Dili në kundërvlerë prej 50 eurove librezën e qarkullimit të autobusit të markës Setra 315 me targa pronë e kompanisë Dili.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti