|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon të mbahet seanca në rastin “Toka 2”

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të pandehurve Mehmet Prishtinës, Dukagjin Emërllahu, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni. Ata akuzohen nga Prokuroria Speciale për: Krim të organizuar, Nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore, Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, Falsifikim i dokumentit zyrtar dhe  Shpërlarja e parave.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Vesel Ismajli konstatoi se të pranishëm në sallë ishin prokurorja Merita Bina, të akuzuarit Dukagjin Emërllahu, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni me mbrojtësit e tyre dhe dëshmitarët të cilët kishin për të dëshmuar.

Tutje, gjyqtari Ismajli konstatoi se mungon i akuzuari Mehmet Prishtina, si dhe përfaqësuesi i AKP-së.

Në lidhje me mungesën e të akuzuarit Prishtina, mbrojtësi i tij av. Skender Musa deklaroi se i njëjti ka disa probleme shëndetësore dhe e kishte të pamundur të marr pjesë në seancë.

Në kuptim të kësaj, avokati Musa propozoi që seanca e sotme të shtyhet.

Trupi gjykues konstatoi se nuk ka kushte ligjore për të vazhduar shqyrtimin gjyqësor, kështu që seanca u shtye në afat të pacaktuar.

Mehmet Prishtina, Dukagjin Emerllahu e Nexharije Hoti e Avni Maxhuni, akuzohen për veprën penale “krim i organizuar”. Ata akuzohen se nga fillimi i vitit 2009 e deri në tetor të vitit 2014, në territorin e Kosovës, më qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, kanë kryer krime të rënda si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar.

Prokuroria pretendon se Mehmet Prishtina ka qenë organizator, mbikëqyrës dhe menaxher i aktiviteteve të grupit kriminal të organizuar të përbërë nga Prishtina, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni. Hoti e Maxhuni, sipas prokurorisë, dyshohet se i kanë menaxhuar aktivitetet kriminale të këtij grupi duke u dhënë udhëzime pjesëtarëve tjerë të këtij grupi.

Ata akuzohen edhe për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, “shpërlarja e parave në vazhdimësi”, ndërsa bashkë me Emërllahun akuzohen edhe për veprat penale “ndihma në kryerjen e veprës penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore të paligjshme”, “ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”,  “grabitja” dhe “shpërlarja e parave në vazhdimësi”.

Hoti akuzohet për krim të organizuar të ndërlidhur me veprat penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore dhe shpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi.

Nexharije Hoti akuzohet se si gjyqtare e Gjykatës Komunale të Prishtinës, e caktuar në çështjen civile nr.724/2009, për të drejtat pronësore mbi ngastrat shoqërore, ka gjykuar lëndën në dobi të Dukagjin Emërllahut, i cili ka bashkëpunuar me Mehmet Prishtinën dhe me dashje që t’i shkaktojë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, ka nxjerrë vendim të paligjshëm me të cilin ka aprovuar padinë e Emërllahut për të drejtat pronësore të mbi 45 ngastrave me një sipërfaqe prej 36.45 hektarë, që kanë qenë në posedim të të paditurave KBI “Kosova Export”, dhe zyra rajonale e Asgjësisë Kosovare të Privatizimit.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë./Drejtësia Sot

Monitoruar nga Gentrit Kuqani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter