|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Fillon rishtazi shqyrtimi gjyqësor në rastin ndaj zyrtarit policor të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka filluar rishtazi shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Hasan Makolli, i cili në cilësinë e zyrtarit policor po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe manipulim me prova.

Në shqyrtimin gjyqësor të filluar rishtazi të gjitha palët qëndruan pranë fjalës hyrëse të dhënë më 7 tetor 2021, njëkohësisht aktakuza u konstatua e lexuar me pajtim të palëve në procedurë. 

‘Nuk e pranoj fajësinë edhe në këtë shqyrtim gjyqësor’, u deklarua i akuzuari Hasan Makolli.

Ndërsa në këtë seancë u dëgjua si dëshmitar i dëmtuari në këtë rast Premtim Ipshi, i cili në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Makolli, avokatit Alban Makolli lidhur me dëmin që i është shkaktuar deklaroi se e ndjen veten të dëmtuar nga veprimet e të pandehurit për shkak se kryerësit e veprës penale që janë dënuar tashmë dhe kanë pranuar fajësinë sipas aktgjykimit me numër 3209/21, i njëjti i ka ndihmuar duke u bërë bashkëpjesëmarrës në fshehjen e gjurmëve të krimit.

Tutje, lidhur me atë se a ka qenë i akuzuari Makolli ndonjëri prej zyrtarëve të cilët janë marrë me rastin e të dëmtuarit Ipshi, i njëjti theksoi se ka qenë në mënyrë direkte dhe indirekte. Në aspektin direkt deklaroi se qëndron sipas përgjimeve komunikimi telefonik me zyrtarin policor me pseudonim Tarkani, si dhe zyrtarë tjerë policor, ndërsa si veprim indirekt është prezenca e tij në vendin ku është kryer krimi dhe vonesa e policëve tjerë në vendin përkatës, deklaroi Ipshi.

Në vazhdim të seancës, i dëmtuari Ipshi iu drejtua trupit gjykues lidhur me çështjen se a ka të drejtë ligjore mbrojtësi Alban Makolli t’i parashtroj pyetje, duke qenë se i njëjti është mbrojtës në procesin kundër Skënder Ramës dhe të tjerëve dhe në të njëjtën kohë është mbrojtës i të akuzuarit Makolli në këtë proces.

Lidhur me këtë kundërshtoi mbrojtësi i të akuzuarit Makolli, me arsyetimin se ai rast nuk ka qenë i lidhur me akuzën e cila është objekt gjykimi në këtë çështje dhe se i dëmtuari deri më tash asnjëherë nuk e ka ngritur këtë çështje para trupit gjykues.

Në kontekst të kësaj çështje, konform dispozitës së nenit 54 dhe 55 të Kodit të Procedurës Penale, trupi gjykues mori aktvendim në favor të të dëmtuarit, duke përjashtuar mbrojtësin Makolli nga ky shqyrtim gjyqësor, i cili mbronte të akuzuarin Makolli sipas detyrës zyrtare, me arsyetimin se kemi të bëjmë me një ngjarje të njëjtë që ka ndodhur ditën kritike me 17 korrik 2020.

Për seancën e radhës palët do të njoftohen përmes ftesës, sipas gjyqtares së rastit Alltëne Murseli.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë,, i pandehuri Hasan Makolli në cilësinë e personit zyrtar, deri sa punonte në Njësinë për Reagim të shpejtë-DRP Prishtinë, me pozitë zyrtar policor, ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tij zyrtar, pasi që me datë: 17.07.2020, rreth orës 21:50, i pandehuri i lartëcekur Hasan Makolli ka shkuar në objektet e biznesit  Radio Taxi “Beki”, ku kishte ndodhur një rrahje ndërmjet punonjësve të këtij biznesi, Skender Rama, Bekim Rama, Valdet Aliu dhe Hajdin Hajdini me të dëmtuarin Premtim Ipshi. Ku pas incidentit (rrahjes) të ndodhur ndërmjet punonjësve, në bazë të audio-video inçizimeve, i pandehuri i lartcekur Hasan Makolli iu kishte dhënë instruksione apo udhëzime palëve të dyshuara, të përfshira në atë rast, se çfarë të deklarojnë ata lidhur me rrahjen e të dëmtuarit të lartcekur Premtim Ipshi, si dhe të i fshinin audio-video inçizimet nga kamerat të cilat kanë mundur të filmojnë momentin e incidentit (rrahjes) ndërmjet punonjësve të biznesit Radio Taxi “Beki” Skender Rama, Bekim Rama, Valdet Aliu dhe Hajdin Hajdini me të dëmtuarin Premtim Ipshi.

Sipas këtyre veprimeve, i akuzuari akuzohet për kryerjen e veprës penale, ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe veprës penale ‘Manipulim me prova’.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter