Në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda, është shpallur aktgjykim fajësues ndaj të pandehurit Sadedin Sharku, i akuzuar për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.
Në aktgjykimin e shpallur nga gjyqtari Ngadhnjim Arrni, i akuzuari Sharku u dënua me 8 muaj burgim efektiv, si dhe 10 mijë euro gjobë.
Shpenzimet e procedurës sipas aktgjykimit bien në barrë të të akuzuarit dhe atë 100 euro paushalli gjyqësor, si dhe obligohet të paguajë shumën prej 50 euro në Fondin për Kompensimin e Viktimave.
‘Pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda afatit të përcaktuar ligjor’, theksohet në aktgjykimin e shpallur.
Ndryshe, sipas aktakuzës, Sadedin Sharku, akuzohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë, për vete i ofron dhuratë të paarsyeshme personave zyrtar, në mënyrë që ata persona të veprojnë në kundërshtim me detyrën zyrtare.
Sipas këtyre veprimeve, i akuzuari Sadedin Sharku akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënie e ryshfetit”, nga neni 422, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti